Teksti Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare – Niveli 1 (shoqëruar me Fletën e punës) është hartuar në përputhje me Kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë, miratuar nga MASR, Shqipëri, dhe MASH, Kosovë.

 

STRUKTURA E TEKSTIT

Teksti është ndërtuar në tri pjesë që u korrespondojnë përkatësisht klasave I, II, III. Ato në tekstin e nxënësit/es emërtohen:

 

SHKALLA 1

SHKALLA 2

SHKALLA 3

 

Secila nga këto pjesë ka strukturën e vet, ku është mbajtur parasysh tematika dhe rezultatet e të

nxënit për secilën klasë. Në hartimin e tyre është respektuar rritja graduale e shkallës së vështirësisë, si në përmbajtje, ashtu edhe në sasinë e materialit.

Nga ana sasiore, materiali i një njësie mësimore është organizuar në: Shkalla I – 2 faqe; Shkalla II – 4 faqe; Shkalla III – 6 faqe.

 

Shkallën I u është dhënë rëndësi mësimit të shkronjave dhe pasurimit të fjalorit. Secila

shkronjë përkon me një njësi mësimore. Struktura e njësisë mësimore fillon me një situatë: lexime fjalësh ose dialogë të shkurtër, që dëgjohen nga nxënësi/ja. Për çdo njësi kërkohet nga nxënësi/ja, që, në mënyrë graduale, të dallojë shkronjën në fjalë, ta shkruajë dhe të lexojë fjalën ku gjendet kjo shkronjë: në fillim, në mes apo në fund të fjalës. Nxënësi/ja njihet me shkronjat e shtypit dhe të dorës dhe i kërkohet të ushtrohet me të, duke u kombinuar me fletën e punës. Të gjitha informacionet që lidhen me kulturën shqiptare, vjershat apo tekstet e shkurtra janë integruar natyrshëm brenda mësimit të shkronjës.

Në rubrikën Gramatika u jepet përparësi dialogëve me shprehjet më të përdorshme që do t’i

nevojiten nxënësit/es në komunikim. Njohuritë gjuhësore që kërkohen nga programi, si: emri,

mbiemri, folja jam, kam, numërori dhe përemri jepen në shpërndara të mësimet e shkronjave, që

të përvetësohen në mënyrë intuitive nga nxënësi. Kjo është bërë me qëllim që ky nivel të jetë një

parapërgatitje për klasën e dytë dhe të tretë. Këto njohuri gramatikore jepen me emërtimet përkatëse në fund të fletores së punës. Në tekstin e nxënësit, pas shkronjave të alfabetit, jepen edhe disa pjesë të thjeshta leximi në prozë dhe në poezi, me tematika që përputhen me programin.

 

Shkallën II dhe III njohuritë janë të strukturuara në 9 module, që u korrespondojnë 9 muajve mësimorë: Familja, Shkolla, Atdheu, E shkuara dhe e sotmja, Vendlindja, Veprimtaritë e mia, Sjelljet e mia, Natyra, Një botë për të gjithë. Këto module pasqyrojnë pesë tematikat kryesore, bashkë me temat mësimore të parashikuara në program. Emërtimet e moduleve njëkohësisht përbëjnë edhe fjalët kyç ku duhet të përqendrohet nxënësi. Çdo modul është llogaritur të realizohet brenda 8 orëve mësimore.

Të njëjtat tema të moduleve që bëhen në Shkallën II, rimerren në Shkallën III, por në to trajtohen

pjesë të reja leximi, informacione të reja për historinë, gjeografinë, shoqërinë dhe mjedisin; njohuritë gramatikore thellohen dhe zgjerohen. Materiali i dhënë në Shkallën III, paraqet një shkallë më të lartë vështirësie, e cila reflektohet në anën sasiore, në informacionin e dhënë dhe në natyrën e pyetjeve dhe ushtrimeve që do të duhet të zhvillojë nxënësi.

Çdo njësi ka këto rubrika: Situata prezantuese, Lexim (pjesë letrare ose joletrare) Mëso më

shumë, Gramatikë, Arte (ku alternohen piktura, muzika, skulptura etj.), si dhe në fund të çdo moduli jepen rezultatet e të nxënit përmes rubrikës Tani unë mund.

Rubrika Situata prezantuese zakonisht ka dialogë të personazheve, bashkëmoshatarë të nxënës/e/ve, që e shoqërojnë atë në vijimësi gjatë një shkalle. Po ashtu, kjo rubrikë prezantohet

edhe përmes fotove dhe ilustrimeve.

Rubrika Lexim përmban tekste letrare dhe joletrare, të cilat e përgatisin nxënësin për një lexim sa

më të rrjedhshëm, me kuptim dhe me intonacionin e duhur, sidomos kur bëhet fjalë për vjersha, për pjesë teatrore ose për dialogë. Ilustrimet dhe fotot shoqëruese janë përdorur me funksion didaktik, për të zbërthyer e lehtësuar përvetësimin e tekstit.

Rubrika Gramatikë përmban njohuritë gjuhësore që kërkohen nga programi, si: emri, mbiemri,

folja jam, kam, përemri dhe numërori. Kjo rubrikë zakonisht përmban konceptin teorik, një situatë hyrëse të shoqëruar me ilustrime, si dhe ushtrime me modele të ndryshme, duke filluar nga ushtrimet gjysmë të gatshme e deri te ushtrimet ku mund të punohet në mënyrë të pavarur.

Rubrika Mëso më shumë jep informacione nga fusha e historisë, gjeografisë, mjedisit, shoqërisë

etj. Duke qenë se ky është një tekst që ofron mësim plotësues, autorët i janë shmangur dhënies

së informacionit për konceptet shkencore, duke e marrë të mirëqenë se nxënësi këto informacione i ka marrë në arsimin bazë të vendit ku shkollohet. Kështu që janë përqendruar te informacioni specifik për historinë, gjeografinë, trashëgiminë, identitetin e shqiptarëve, ashtu siç edhe kërkohet në program.

Rubrika Arte përmban pjesë artistike ose informacion nga fusha e muzikës dhe e arteve pamore.

Edhe te kjo rubrikë i është dhënë më tepër rëndësi edukimit me traditën dhe trashëgiminë, dhe jo të përvetësimit teknikave të artit muzikor a pamor.

Në rubrikat Lexim dhe Arte është respektuar lista me autorë të sugjeruar nga programi. Në disa raste është marrë një vepër tjetër e të njëjtit autor, në mënyrë që t’i përshtatet temës që është trajtuar në një modul. Një pjesë e veprave dhe e autorëve janë të përfshirë te teksti i nxënësit, ndërsa të tjera janë përfshirë në Antologjinë me poezi dhe këngë, që është pjesë e

paketës.

Pyetjet dhe ushtrimet e aparateve didaktike të të gjitha rubrikave mundësojnë që nxënësi/ja të

ushtrojë këto kompetenca: Të folurit, Të dëgjuarit, Të lexuarit, Të shkruarit, Gramatikë.

 

Libri i nxënësit është dhe në formatin e digjitalizuar, ku nxënësit/et do të mund të gjejnë

informacione shtesë. Teksti i digjitalizuar i krijon mundësinë që të punojë në mënyrë interaktive. Ai përmban video, audio e foto dhe lehtëson kryerjen e detyrave, ushtrimeve e testeve me anë të plotësimeve, nënvizimeve e mbajtjes së shënimeve.

Dialogët e situatave prezantuese, si dhe pjesët letrare dhe joletrare nxënësi do të mund t’i dëgjojë

të regjistruara në versionin audio. Po ashtu, këngët e dhëna në tekst, nxënësit do të mund t’i gjejnë në librin digjital, në formatin audio ose video.

Libri i nxënësit është i shoqëruar me Fletore pune, në të cilën janë dhënë ushtrime plotësuese për njohuritë gjuhësore, si dhe ushtrime për të shkruarit dhe vizatimin.

Paketa përmban dhe Librin e mësuesit me orë model për secilën shkallë. Në orët e zhvilluara në

librin e mësuesit sugjerohet se si mund të zhvillohet një orë mësimore me materialet që përmban kjo paketë, duke filluar nga libri i nxënësit, fletorja e punës, libri digjital, fjalori etj.

Paketa është e plotësuar edhe me një Fjalor shqip me figura. Fjalori përmban emra, folje, numra etj., të cilat janë përzgjedhur nisur nga shkalla e përdorimit. Fjala është shpjeguar me anë të imazhit.