Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) ka emëruar gazetarin me përvojë të “Zërit të Amerikës” Elez Biberaj në detyrën e drejtorit të “Zërit të Amerikës”.
Elez Biberaj ka drejtuar Divizionin e Euro-Azisë që nga viti 2006. Në këtë detyrë ai ka mbikëqyrur transmetimet e “Zërit të Amerikës” për Rusinë, Ukrainën, Armeninë dhe Ballkanin. Më parë ai ishte shef i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës. Ka mbrojtur doktoratën për shkenca politike në Universitetin e Kolumbias dhe është autor i katër librave, përfshi “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e vështirë drejt demokracisë”.
Së bashku, të pesë rrjetet e lajmeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale, përfshirë “Zërin e Amerikës”, kanë një audiencë javore globale prej më shumë se 350 milionë dëgjuesish, shikuesish, dhe ndjekësish në internet në 61 gjuhë.