Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) ishte klerik i njohur shqiptar i lindur në Gjakovë më 1 janar 1702. I konsideruar si udhëheqësi shpirtëror e kombëtar i shqiptarëve gjatë viteve 1700 të shekullit XVIII, ai ka qenë një ndër figurat e jashtëzakonshme të historisë kombëtare që la gjurmë, të cilat ndikuan edhe në zhvillimet e mëvonshme të saj. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, pastaj i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe i kreu në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku krahas teologjisë studioi edhe filozofi, gramatikë e retorikë. Në vitin 1727 mori titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar e u emërua misionar në Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni në Gjakovë, për shërbim baritor dhe në vijim meqë dallohej për zgjuarsi dhe aftësi të veçanta njerëzore, shpirtërore e intelektuale u emërua Vikar i Përgjithshëm dhe që nga viti 1737 drejtoi kryeipeshkvinë e Shkupit. Më 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi kryeipeshkëv të Shkupit. Gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1743, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të “Mesharit” të dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo, të cilit i dërgoi një faqe. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin: Katalogu: R.G. Liturgia III, 194. Më 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane. Përkthyer në gjuhën shqipe për t’u përdorur e mësuar nga fëmijët e këtij kombi”. Vepra, e cila ka rëndësi për njohjen e së folmes së Gjakovës në shek. XVIII, është shkruar me ndonjë ndryshim, në alfabetin e shkrimtarëve të shek. XVI-XVII. Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe katekizmin e tij “Doctrina e kërshten” – “Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l’utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione” shtypur ne Romë nga “Stamperia della S.Congregatione de Propaganda Fide”. Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për vizitë “ad Limina Apostolorum” tek Papa e dikasteret e Selisë së Shenjtë në Vatikan. Janë me vlerë të madhe historike relacionet që imzot Gjon Kazazi dërgoi në Vatikan ku informon Papën e Selinë e Shenjtë mbi situatën e popullsisë në trevat shqiptare dhe në vendet përreth, nën sundimin e perandorisë osmane. Vdiq më 1752 në Gjakovë. Për jetën dhe veprën e Gjon Nikollë Kazazit kanë shkruar studiuesit e njohur Jusuf Buxhovi dhe Bardhyl Demiraj.