Dervish Hima punoi si ndihmësmësues në Rumani, Belgjikë dhe Zvicër. Ishte atdhetar e publicist i Rilindjes Kombëtare, organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e Napolit dhe më 1908 botues i gazetës “Shqiptari” në Stamboll me Eqrem bej Vlorën dhe Hilë Mosin. Më pas ai punoi për gazetën “Albania” në Zvicër. Në Bukuresht, ai redaktoi dhe botoi  më 1898 në shqip, frëngjisht dhe rumanisht gazetën “Pavarësia e Shqipërisë”. Në Romë bashkëpunoi me Mehmed bej Frashërin në revistën dyjavore frëngjisht dhe shqip “Zën’i Shqipënisë”.

Më 1903, Dervish Hima botoi revistën dyjavore “L’Albanie në Gjenevë”, të cilën gjatë viteve 1905-1906 në Bruksel , ai vazhdoi ta botojë një herë në muaj. Më 1909, në Stamboll drejtonte të përjavshmen shqip dhe turqisht “Shqipëtari-Arnavud” me Hilë Mosi. Hima ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 1912-n mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe u zgjodh anëtar i Pleqësisë, ndërkohë shkroi e botoi këto libra: “Varri i liridashësve”, “Pasqyra e krimeve të Sulltanit”, “Një zë nga burgu në kohën e lirë” etj.

Intervista e patriotit dhe publicistit Dervish Hima për gazetën franceze “Le Siècle” më 1911, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja:

“Le Siècle” ka botuar, të shtunën e 25 marsit 1911, në ballinë, intervistën ekskluzive me patriotin dhe publicistin e njohur shqiptar, Dervish Himën, të zhvilluar asokohe në Kostandinopojë

Letër nga Turqia

Çështja shqiptare

Intervistë me Dervish Himën, shefin shqiptar

 (Nga korrespondenti ynë i veçantë)

 Kostandinopojë, 12 Mars.

 Dervish Hima, i strehuar në Evropë, për tetëmbëdhjetë vjet nën regjimin e vjetër, pranoi të na shpjegonte se çfarë është “çështja shqiptare”, zakonisht pak e njohur për publikun. Mysliman, i lindur në Shqipërinë e Mesme, në Ohër, ai studioi në Turqi. Drejtori i gazetës Shqipëtari (L’Albanais), ai e botoi këtë gazetë në Bukuresht, Romë, Paris, Gjenevë apo Bruksel sipas nevojave të momentit, sepse ai u dëbua nga Roma dhe Bukureshti me kërkesën e Abdyl-Hamidit. I dënuar për një fjalim disi të ashpër nga Turqit e Rinj (Xhonturqit), disa muaj pas rivendosjes së Kushtetutës, ai u burgos për pesë muaj. Gjatë robërisë së tij mori një mbështetje të përgjithshme si nga evropianët ashtu edhe nga osmanët. Aktualisht në Kostandinopojë, ku boton përsëri “Shqipëtarin”, ai vazhdon propagandën e tij.

 Lëvizja shqiptare, më thotë Dervish Hima, fillon vetëm në 1876. Programi ynë përmban një pikë thelbësore për ne : të kemi një alfabet të veçantë dhe, si rrjedhojë, shkolla kombëtare. Këto kërkesa, të një rëndësie krejtësisht shkencore, do të ishin të pakuptueshme pa njohurinë e gjeografisë sonë politike. Tri fe përbëjnë popullsinë tonë : ortodoksë, katolikë, myslimanë ku secili merr një edukim në përputhje me bindjet dhe traditat e tij. Disa tendenca separatiste mund të ishin shfaqur midis bashkëqytetarëve tanë të kthyer drejt Papës, Kalifit ose Patriarkut. Nacionalistë të bindur, komuniteti gjuhësor na u shfaq si mjeti i parë dhe më i fortë për të forcuar bashkimin midis tre grupeve tona. Prandaj nuk është aspak arbitrare, siç është shkruar kaq shumë herë, për të vendosur një raport midis kësaj pyetjeje të alfabetit dhe kryengritjeve të ndryshme shqiptare. Çështja e vetë alfabetit është e një rëndësie të madhe, pasi duke e pranuar, e tregon veten mbështetës të vendosur të decentralizimit, një ide që deri tani është hedhur poshtë nga Turqit e Rinj.

 U desh Traktati i Shën Stefanit që të zgjohej ndjenja jonë kombëtare. Ideja për një Bullgari të Madhe që do të depërtonte deri në Shqipërinë e Mesme, solli reagime te disa prej bashkatdhetarëve tanë që formuan Lidhjen e Prizrenit. Një numër i anëtarëve të tyre u dërguan te Z. Ëaddington në kongresin e Berlinit. Delegati francez pati një simpati të vërtetë ndaj nesh. Simpati që e hasëm edhe pranë Anglisë dhe të gjithë atyreve që luftonin kundër përparimit të racës sllave.

 Që atëherë programi ynë filloi të marrë formë. Qysh në shekullin e 18-të, në Shkodrën e Shqipërisë, pati një lëvizje letrare midis priftërinjve katolikë shqiptarë të shkolluar në Romë ose Venecia. Por kjo lëvizje, shumë e kufizuar, nuk përfshinte tërë popullsinë. Më 1879, disa shqiptarë patën idenë e themelimit të një shoqërie letrare në Kostandinopojë për të punuar për zhvillimin e ndjenjës kombëtare te ne. Sami bej Frashëri u ngarkua nga komiteti i kësaj shoqërie për hartimin e një alfabet shqip, nevoja e të cilit u njoh zyrtarisht nga Abdyl-Hamidi. Vepra jonë lulëzonte kur një lëvizje e kundërt u nxit nga shteti osman, dhe patriarkana greke për të shkatërruar idetë nacionaliste shqiptare. Bënë gabim, për mendimin tim, se të dy e imagjinonin se do të vinte një ditë kur ne do të donim pavarësinë tonë politike nga Turqia; dhe pavarësinë tonë fetare, për sa i përket ortodoksëve shqiptarë. Popullsia jonë është shumë e vogël sa që hipoteza e ndarjes sonë të mundshme nga Perandoria Osmane të merrej seriozisht.

 Ku do të rekrutonim një ushtri që të ishte në gjendje për të fituar pavarësinë tonë ? Jo më shumë sesa në vitin 1879 kemi pasur tani prirje të tilla.

 Sidoqoftë, pothuajse të gjithë anëtarët e kësaj shoqërie letrare shqiptare u dëbuan në 1884, në Tripoli ose në Azinë e Vogël; disa u strehuan në Bukuresht, ku tregtarët shqiptarë të qytetit mbështesnin me ndihmën e tyre financiare shtypshkronjën dhe gazetën, organ i interesave tona. Anëtarët e vjetër të shoqërisë vazhduan të shkruanin nën pseudonime dhe një numër i madh i veprave shqiptare mundën të shtypeshin në Bukuresht.

Emrat e disa prej këtyre anëtarëve janë të mjaftueshëm për të treguar se çfarë elite kishte vendi ynë midis djemve dhe mbrojtësve të tij :  Shem Sedin, Sami beu, Naim bej Frashëri, Mehemet Ali bej Vrioni, Ferid pasha (ish-vezir i madh), Ismail Qemal beu, Abedin pasha (ish-guvernator i Arkipelagut), Turkan pasha (aktualisht ambasador në Shën Petersburg), Taksim hoxha (meteorolog i shquar), të gjithë këta janë myslimanë. Të krishterë si Vasa pashai (ish-guvernatori i Libanit), Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhis ishin gjithashtu midis mërgimtarëve.

 Pastaj erdhi regjimi kushtetues. Deri atëherë nuk kishte asnjë mospajtim midis latinizimit dhe arabizimit të shqiptarëve. Unë pretendoj në çdo paanshmëri se për shkak të Turqve të Rinj ne nuk biem më dakord për këtë pikë të fundit. Turqit e Rinj trajtuan si kaur (katolikë) të gjithë ata që do të shkruanin duke përdorur alfabetin latin; ata gjetën mbështetës midis klerikëve, duke deklaruar se Kurani nuk mund të shtypej me shkronja latine, dhe se favorizimi i një lëvizje të tillë do të ishte një mëkat.

Pjesa konservatore e shqiptarëve vendosi për alfabetin arab dhe elementët progresistë që gjendeshin në mesin e popullit luftuan për shkrimin latin. Madje dhe në kryeqytet, këto dy grupe, në Parlament, ishin qartësisht armiqësore me njëra-tjetrën.

 Kjo dëshmon, sidoqoftë, fuqinë e palës pro-latine, e cila përfshin në mesin e saj jo vetëm deputetë të krishterë shqiptarë, por dhe një shumicë të myslimanëve, mendja e ndritur e të cilëve ka qenë në gjendje t’u rezistojë imagjinatave të tmerrshme të mëndjeve të thjeshta, të bëra nga kundërshtarët tanë. Në krye të këtyre deputetëve pro-latinë janë Ismail Qemali, pastaj Esat pasha, Ali Hajdar bej (Jakova), Aziz pashë Vrioni (nga Berati), Hamdi beu (i Çamërisë), Shahin bej Kolonja, Nexhib bej Draga, Mufid beu, Hasan beu, Mishei efendi, Mahmud Polo efendi, Fuad pasha (Prishtina), Hasan Basri bej.

 Dy deputetë janë asnjëanës : Hafiz Ibrahim efendiu  (nga Peja) dhe Murteza efendiu.

 Pala pro-arabe, më pak në numër, përfshin : Riza beun (nga Shkodra e Shqipërisë), Shaban pashën (nga Peja), Jahja Alia Jasi Bej (turk por deputet nga Shqipëria), si dhe Ëasif efendiun (nga Manastiri), Haxhi Aliun (nga Elbasani). Së fund, dy prej tyre po kërkojnë një terren pajtimi; këta janë Said efendiu (nga Shkupi) dhe Shefqet efendiu (nga Dibra).

 Jo vetëm që partia pro-latine fiton nga numri dhe cilësia e anëtarëve të saj, por ajo gjithashtu fiton nga veprat që ka botuar dhe nga mbështetja e gjuhëtarëve evropianë si Petersen në Kopenhagë, G. Meyer, dhe i ndjeri L. Benlov, etj. Akoma më mirë, për përhapjen e ideve të tyre, shqiptarët pro-latinë krijuan gazeta deri në Amerikë : Flamuri dhe Dielli. Albania është një revistë e botuar në Boston, ku jetojnë afro 30.000 shqiptarë. Në Egjipt botohet Shkreptinia (Rrufeja – L’Eclair). Ndërsa për sa i përket vetë Shqipërisë, janë botuar gazeta të ndryshme si: Lidhja Ortodokse, Korça, Bashkimi, Koha. Liria botohet në Selanik dhe Shqipetari në Kostandinopojë. Një kolegj i formimit të mësuesve (Normalja) qe themeluar në Elbasan, por ai u mbyll nga autoritetet. Sapo është formuar një shoqëri letrare shqiptare në Kostandinopojë, në modelin e asaj të vitit 1879.

 Ndërsa pro-latinët kanë bërë përparim të madh, ende nuk është realizuar një vepër te shqiptarët pro-arabë, megjithë kërkesat për përkthyes të bëra nga Ministri i Arsimit Publik.

 Me pak fjalë, ne duam për Shqipërinë një ligj decentralizimi si ai për të cilin po mendohet në këtë moment për Jemenin. Ne gjithashtu bëjmë thirrje që t’u jepet fund këtyre dërgesave të qëllimshme të zyrtarëve shqiptarë në Azinë e Vogël dhe më gjerë. Ky është një gabim në programin e Turqve të Rinj, një burim acarimi për bashkatdhetarët tanë të brengosur nga mungesa e besimit të treguar ndaj tyre nga regjimi i ri. Nëse shqiptarët do të ishin armiqësorë ndaj këtij regjimi, do të ishte aq e lehtë për ta të dëmtonin qeverinë si në vendin e tyre ashtu edhe atje. Nga ana tjetër, neve na dërgojnë zyrtarë që nuk e njohin gjuhën tonë, zakonet tona dhe që nuk mund të kenë asnjë kontakt me popullin. Kështu i ndodhi Mazhar beut, guvernatorit të përgjithshëm të Kosovës, i cili qe shkaku i trazirave të vitit 1910. Ishte kryesisht ai që krijoi këtë konfuzion të dëmshëm, midis alfabetit shqip me shkronja latine dhe arabe.

 Kryengritja e vitit 1910 nuk ishte një reagim kundër regjimit të ri të Xhonturqve, por kundër keqadminstrimit lokal. Këtë reagim mori parasysh qeveria qendrore, duke marrë kështu në konsideratë këto keqkuptime. Talaat beu, atëherë Ministër i Brendshëm, u nis për të bërë një hetim në Shqipëri; por për të mos e kompromentuar situatën e partisë Bashkim dhe Progres, ai largoi Mazhar beun vetëm tre muaj më vonë, duke e emëruar atë guvernator të përgjithshëm në Andrinopojë.

 Ne shpresojmë që udhëtimi i Madhërisë së Tij do të inaugurojë, në Shqipëri, një epokë drejtësie dhe drite (zhvillimi). Ky udhëtim është i mirëpritur si një shenjë e pajtimit midis shqiptarëve dhe turqve. Ne besojmë se, me kalimin e kohës, qeveria do të ndryshojë vrazhdësinë e politikës së saj ndaj nesh. Shqipëria do të jetë roje besnike e Perandorisë në detin Adriatik dhe do ta mbrojë atë nga të gjitha rreziqet që mund t’i vijnë nga ana tjetër e detit. Por qeveria duhet të krijojë shkolla kombëtare dhe shkolla të përbashkëta për të tërhequr, arsimuar dhe fituar besim tek të rinjtë tanë. Nuk ekziston asnjë lloj industrie te ne. Hakmarrja (Gjakmarrja) ende mbretëron në Shqipëri dhe për t’u ushqyer me prodhime të gjuetisë, për t’u mbrojtur kundër plaçkitësve dhe të tjerëve, është e domosdoshme që malsorët tanë të kenë armë.

 Vetëm për këtë qëllim ata po përpiqen të gjejnë pushkë dhe jo me idenë e një revolte. Aq më tepër, gati 2 deri në 3.000 shqiptarë janë strehuar në Mal të Zi, i cili u ofroi atyre azil. Ka një rrezik këtu për qeverinë turke dhe ne jemi duke pritur që ajo të ndërmarrë hapa për t’i lejuar që të gjithë këta refugjatë të kthehen në shtëpitë e tyre.

 Është thënë se Shqipëria nuk është kurrë e qetësuar (në paqe). Kjo do të vijë me kalimin e kohës dhe akoma më shpejt kur qeveria e re xhonturke të kuptojë interesat e saj !

 Këto janë deklaratat që më bëri Dervish Hima. Më duhet të them të vërtetën se ekziston te ai një sinqeritet i padiskutueshëm dhe një përpjekje e vërtetë drejt paanshmërisë.

 

A. de ROCHEBRUNE

Shqip nga Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania