Qendra e Botimeve për Diasporën e drejtuar nga znj. Mimoza Hysa organizoi mbledhjen e radhës me Këshillin Koordinues të Botimeve për Diasporën, ku ishin të pranishëm: Kryetari i Këshillit, drejtori i Bibliotekës Kombëtare z. Piro Misha, anëtarët e Këshillit: prof. Floresha Dado, përfaqësuese e Akademisë së Shkencave; znj. Mira Hoxha, përfaqësuese e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme; znj. Anila Ferizaj, përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe znj. Ada Ilia, Drejtore e Kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën
Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën diskutoi dhe miratoi:
Ø Listën e kërkesave për tekste shkollore dhe literaturën shtesë për vitin shkollor 2020-2021;
Ø Botimin dygjuhësh me 10 tregime nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”, të Mitrush Kutelit;
Ø Botimin e lojës “Mos u nxeh”, pjesë e projektit “E ka kush e ka”, hartuar nga Organizata ndërkombëtare CHWB;
Ø Botimin e revistës letrare “Letra nga Diaspora”.
Tekste shkollore dhe literaturë shtesë për shkollat e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë
Për vitin shkollor 2020-2021, Qendra e Botimeve për Diasporën ka marrë masat e nevojshme për pajisjen me tekstet shkollore për mësimdhënie, si dhe literaturë shtesë për shkollat në Diasporë. Pas diskutimit në detaje të kërkesave të paraqitura, Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën miratoi listën dhe diskutoi mbi mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës dhe kulturësw shqiptare në Diasporë. Në vijim të pranishmit theksuan sërish domosdoshmërinë e hartimit të teksteve të posaçme të unifikuara për mësimdhënien në Diasporë.
“Tregime të moçme shqiptare”, për herë të parë në një projekt dygjuhësh
Qendra e Botimeve për Diasporën, në kuadër të projektit të saj të botimeve dygjuhëshe, ka përzgjedhur për të ofruar edhe një tjetër tekst ndihmës për shkollat në Diasporë, veprën “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit.
Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën miratoi përzgjedhjen e tregimeve nga vëllimi, si dhe gjuhët në të cilat do të përkthehet përmbledhja e tyre (anglisht, italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht), duke sugjeruar edhe mundësinë e përkthimit në gjuhë të tjera për të ardhmen.
Një mënyrë e re dhe argëtuese për të njohur trashëgiminë kulturore shqiptare
Qendra e Botimeve për Diasporën ka përzgjedhur koleksionin “Mos u nxeh” për ta përcjellë te fëmijët e Diasporës, si një mënyrë argëtuese e cilësore të nxëni. Ky koleksion është pjesë e koleksionit “E ka kush e ka”, hartuar nga organizata jofitimprurëse “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, mbështetur nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian dhe pjesë e projektit “Bëjmë detyrat e shtëpisë” të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
“Letra nga Diaspora”, një urë e re komunikimi ndërletrar
Ideja e revistës “Letra nga Diaspora”, si një mënyrë komunikimi e ndërveprimi mes letërsisë brenda Shqipërisë dhe letërsisë së krijuar nga autorët shqiptarë jashtë vendit, u përshëndet që në krye të herës nga autorët e njerëzit e letrave që morën pjesë në Takimin e Shkrimtarëve të Diasporës, organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën, shqyrtoi dhe miratoi krijimin e revistës me bordin përkatës, duke e cilësuar si një sipërmarrje të rëndësishme dhe me vlerë për letrat shqipe. Revista do të botohet shqip dhe anglisht, si dhe do të shpërndahet në shkollat e gjuhës shqipe në Diasporë, në biblioteka të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, në të gjitha ambasadat dhe konsullatat shqiptare etj.