Krist Maloki (1900-1972) e mbaroi shkollën fillore në vendlindje, në shkollën katolike të Prizrenit. Si nxënës i dalluar që ishte, përfaqësuesit e Austro-Hungarisë në Prizren e dërguan për të studiuar në Austri. Studioi në Salzburg, në Vjenë dhe në Graz. Mori dy doktorata: të parën në vitin 1929 në degën Filozofi-Pedagogjike me temën, “Die Grundprobleme der Kunsterziehungsbewegung” dhe të dytën në degën Jurisprudencë në vitin 1934. Në Graz studioi për filozofi, histori artesh dhe pedagogji. Ishte profesor i rregullt i Akademisë Tregtare të qytetit të Grazit dhe profesor për Letërsinë Shqipe e Ballkanike. Në këtë universitet, ai ishte edhe bashkëpunëtor shkencor, ku për shumë kohë punoi në Institutin e Historisë për Evropën Juglindore.
Ai ishte bashkëpunëtor i shumë revistave shqiptare, si: “Minerva” në Graz, “Djalëria” në Vjenë, “Hylli i Dritës”, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, i revistës “Shqiptari i Lirë”, “Dielli” si dhe i “Enciklopedisë së Gruas në Zvicër” (botimi në gjuhën gjermane), ku shtjellon me sukses problemin e gruas shqiptare.
Vitet e fundit i janë botuar vëllimet “Refleksione” dhe “Oriental apo Oksidental”. Më 1966 qeveria austriake i akordoi titullin Kryekëshilltar Arsimor.