Lazër Shantoja (1892-1945), te dorëshkrimi “Shantojana – Histori e familjes Shantoja” shkruan se origjinën familja e tij e ka nga Vjerdha e Vjetër, pranë fshatit Rragam të Shkodrës. Studimet fillore dhe të mesme i kreu pranë Seminarit Papnor të Etërve Jezuitë në vendlindje. Më tej vijoi studimet për teologji në Austri më 1912-1914, ku u shugurua meshtar. Krijimet e para poetike i shkroi në shqip, italisht, gjermanisht dhe u mor edhe me përkthimin. Më 17 prill të vitit 1923 takoi në Vjenë, Kancelarin e Austrisë, Joseph Seipel. Kur P. Anton Harapi nisi punimin dhe botimin për të përkohshmen “Ora e Maleve”, Shantoja qe ndër bashkëpunëtorët e tij të parë së bashku me Luigj Gurakuqin. P. Antoni më vonë shkroi: “Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit”. Më 1928, në Vjenë u mor me botimin e gazetës “Ora e Shqipnisë”, financuar nga Hasan Prishtina. Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, Shantoja u largua nga atdheu dhe vajti në Zvicër si famullitar i fshatit Bienne, më tej në La Motte të kantonit Vaud nga 1932.