Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi zhvilloi të dielën një takim virtual me mësuesit e kurseve të mësimit plotësues në Greqi, takim në të cilin ishte e ftuar edhe znj. Mimoza Hysa, Drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Në këtë takim u diskutua gjendja aktuale e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, nevojat dhe problematikat që ka nxjerrë mësimi online, si dhe mundësia e shkëmbimit të përvojave. Pas diskutimeve u arrit në përfundimin se për ecurinë e mëtejshme është e nevojshme:
- a) Gjetja e një zgjidhjeje institucionale për sigurimin e ambienteve për zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe;
- b) Arritja e një marrëveshjeje ndërshtetërore për gjuhën shqipe në Greqi;
- c) Sigurimi i programeve të trajnimit për aftësimin e mësuesve në mësimin online;
- d) Organizimi i një takimi virtual me Ministren e Arsimit Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë znj. Evis Kushi.
Përgjatë fundjavës Lidhja ka pasur edhe takime të tjera të rëndësishme për ecurinë e mësimdhënies në Diasporë, gjendjen e mësimdhënies së gjuhës shqipe në kohë pandemie dhe problematikat e vështirësitë që hasin mësuesit shqiptarë në Greqi. Për këtë qëllim, u zhvillua një takim virtual përmes platformës ZOOM i dy Oficereve Koordinuese në Greqi , znj. Joneda Dodaj dhe znj. Aurela Konduri me Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, përfaqësuar në takim nga znj. Anila Kila (kryetare), znj. Alma Zekollari (n/kryetare), znj. Mimoza Hida (sekretare). Veç kësaj znj. Konduri vëzhgoi një orë mësimi online me ftesë të mësueses Anila Velaj. Kjo orë mësimi i kushtohej figurës së Skënderbeut në 553-vjetorin e vdekjes dhe kishte të ftuar z.Virgjil Kule, autorin e librit për Gjergj Kastriot Skënderbeun, “Kryqtari i Fundit”. E veçanta e këtij kursi të mësimit të gjuhës shqipe është se përbëhet nga studentë shqiptarë, fëmijë të brezit të dytë.
Gjithashtu, LMSHG-ja ishte e pranishme në konferencën e dytë virtuale me temë “Platforma të mësimdhënies online për mësuesit shqiptarë në Diasporë”, organizuar me znj. Drita Gjongecaj, drejtuese e organizatës “Albanian American Dual Language and Culture” në Nju-Jork të SHBA-së.