Duke bërë një pasqyrë të mësimdhënies së gjuhës dhe kulturës shqiptare në Gjermani, mësuesja shqiptare me banim atje Etleva Mançe përcjell një historik të ecurisë së hapjes së shkollave shqipe atje dhe përpjekjet më të reja e në rritje të bashkëpunimit brenda e jashtë trojeve shqiptare. Kjo e fundit si një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës amtare te brezat më të rinj.
Ashtu si edhe shumë aktivitete, takime, shfaqje nga ato më të mëdhajat apo të rëndësishmet që për arsye të situatës që po jetojmë u anulluan, kështu edhe aktiviteti më i rëndësishëm jo vetëm i prindërve dhe nxënësve, por edhe i komunitetit shqiptar të Euskirchenit me rastin 45 vjetorit të shkollës së parë shqipe në Gjermani që do të mbahej më 3 Maj 2020 në Euskirchen u anullua. Ishte përgatititur pothuaj çdo gjë, detajet më të vogla ishin biseduar me prindërit dhe bashkatdhetarët, me aktivistët, të cilët kanë kontribuar ndër vite për Shkolllën Shqipe në Euskirchen.
„Në NRW shkolla e parë shqipe në Gjermani.
Vlen të përmendet se në Gjermani shkolla shqipe për herë të parë u organizua në Landin e NRW. Në qytetin e Euskirchenit përkatësisht në shkollën fillore
Paul-Gerhardt-Schule mësimi filloi që nga data 21 Prill 1975.“ (F.35 „Urë Atdheu“ Ç. Bytyçi/Düsseldorf 2010)
„Gjurmët e para të shkollës shqipe i gjejmë në Landin e NRW në qytetin Euskirchen në shkollën fillore Paul-Gerhardt-Schule. Mësimi shqip filloi më 21 Prill 1975“. (f.17, „Ndërgjegje Kulturore“ Monografia e KASH-it, 2015, E. Mançe, K. Callaku, R.Hamiti, S. Thaci, S. Gashi.)
„Unë ju them fëmijëve nga dera e jashtë të flasin gjermanisht, te pragu e brenda vetëm shqip.“ – i është përgjigjur Shaqir Bacaj drejtorit të drejtorisë shkollore kur ky e kishte pyetur se çfarë mendimi kishte sikur të hapnin një klasë dhe të gjithë fëmijët e migrantëve të parë shqiptarë të ardhur nga ish jugosllavia të mësonin shqip. Kështu filloi, pa e ditur që kjo do të ishte iniciativa e parë në Gjermani për mësimin e gjuhës së nënës në shqip. Mësuesi i parë i kësaj shkolle ishte F. Mehmeti. Më pas do të jepte mësim Bajram Dumnica, një mësues intelektual por edhe me përvojë në profesionin e tij. Ndërsa unë do të zëvendësoja Fevzi Mehanën që deri tani ka pasur periudhën më të gjatë si mësues në Euskirchen.
Nuk është fare e lehtë të mbash të hapur derën e shkollës shqipe për gati 45 vjet, dhe kjo meritë në radhë të parë i takon komunitetit shqiptar të këtij qyteti, dhe prindërve të shkollës shqipe të Euskirchenit: Kasum Halili, Fatmir Vatovci, Hysen Bytyqi, Isak Grabovci, Medi Krasniqi, Arsim Islami etj.
„Mësimi i gjuhës së nënës në Gjermani, por edhe në landin e NRW lindi si nevojë në mesin e viteve `60 me ardhjen e migranteve të parë. Mësimi i gjuhës së nënës në shkollë do tju krijonte mundsinë fëmijëve dhe prindërve kthimin/riatdhesimin e tyre në atdhe. Por sot ne jemi shumë larg kësaj, mbasi pothuajse shumica e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre në vendin ku kanë lindur dhe janë rritur! Ky mësim ju krijon mundësinë fëmijëve të rriten me dy gjuhë. Kjo kontribon në ruajtjen e shumëgjuhësisë dhe garanton gjithashtu lidhjen e të rinjve me vendin e origjinës së familjes. Në mësimin plotësues, nxënësit mësojnë vlerat kulturore dhe gjuhësore të prejardhjes së tyre. Gjithashtu dihet dhe është vërtetuar edhe shkencërisht se kush e flet mirë dhe e shkruan gjuhën e nënës, atëherë ai përvetëson shpejt dhe tërësisht edhe gjermanishten. Ky mësim promovon pasuri gjuhësore të cilat nuk duhen nënvleftësuar, si në aspektin kulturor por edhe në atë shkencor. Sot në Landin e NRW mësohen mbi 20 gjuhë, ndërmjet tyre edhe vietnamezish, kurde, farsi etj. Ky mësim sot quhet gjuha e prejardhjes.“ (www.NRW.Schulministerium.de)
Të presim se çfarë ndryshimesh do të na sjelli koha në të ardhmen!!!
Por që të shohim edhe anan tjetër të medaljes ky është mësim në baza vullnetare, mësim fakultativ, me dëshirë, dhe që zhvillohet përgjithësisht mbasdite. Grupet krijohen vetëm sipas numrit të mjaftueshëm të regjistrimit të nxënësve, duke respektuar detyrimisht edhe ligjet, kritetret përkatëse nga ministria e arsimit e Landit të NRW.
Dhe të thellohemi edhe më tej, sot nuk kemi atë numër nxënësish që do të dëshironim të kishim. Apo që ka pasur dikur. Kjo për disa arsye dhe faktorë:
– E para, nxënësit tanë janë brezi i dytë e i tretë që jetojnë në Gjermani.
Sa vjen edhe më shumë prindër vijnë dhe regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolllën shqipe. Por ata vetë në familje nuk flasin shqip, pasi kanë lindur në Gjermani dhe e kanë më të lehtë të komunikojnë në gjermanisht. Për më tepër që kushti kyresor i regjistrimit në shkollën shqipe,(NRW) por edhe për gjuhët e tjera, është që fëmijët duhet të flasin/të njohin dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm me gjuhën e nënës/prejardhjes, në këtë rast gjuhën shqipe.
– E dyta, reformat e fundit në sistemin shkollor gjerman, ka bërë që të jetë „një luftë“ e rrethit socialo-shoqëror për angazhimin/zënien e kohës së lirë të nxënësve. Ata sot, në krasim me dikur(vitet `90) kanë më shumë mundësi të përzgjedhin se si do t`a kalojnë kohën e lirë.
– E treta, këtu i shtohet edhe profesionalizmi i mësuesit, mbasi ky profesion do durim dhe mbi të gjitha pasion, duhet që ta duash atë që bën, dhe jo vetëm ta bësh se merr atë rrogë në fund të muajit.
Për t`a bërë sa më atraktive dhe interesante shkollën shqipe ne si mësues organizojmë edhe aktivitete jashtëshkollore, si p.sh. festa, programe, shfaqje, konkurse, eskursione etj. Por kjo është një sparkat jo e lehtë për disa mësues/e. Aktivitete të ndryshme me tematikë edukative-mësimore ka organizuar gjithashtu edhe Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë(KASH) në Gjermani, (edhe këto janë venitur vitet e fundit). KASH u themelua në shtator 1990 në Remscheid-Wuppertal, dhe erdhi si rrjedhojë e ndryshimeve gjeo-politike që ndodhën në Europë dhe në Ballkan në fillim të viteve `90, duke u kthyer në një institucion i cili solli shkëputjen e shkollës shqipe nga ish Jugosllavia, dhe mori përsipër rolin kryesor administrativ të funksionimit, vazhdimit dhe të fuqizimit të shkollës shqipe në Gjermani. Ideatoret dhe mëuseit e kësaj nisme të fuqishme ishin: R.Hamiti, Xh.Harizi, S.Gashi. S.Thaci, B.Dumnica, P.Pergjoka etj. KASH-i dikur shtrihej në të gjithë Gjermaninë, mbasi edhe mësimi plotësues shtrihej në të gjithë Gjermaninë. Ndërsa sot mësimi plotësues i gjuhës shqipe është i institucionalizuar vetëm në tre Lande, përfshirë këtu edhe NRW, si rrjedhim edhe KASH është tkurrrur vetëm në këto tre Lande. Por këtu duhet vlersuar edhe idealizmin, patriotizmin apo dëshira e mirë qe ka ekzistuar dikur nga anëtaret e KASH-it. Kjo nuk ekzisot te të gjithë mëusesit/set e sotëm. Por lë të ngelet në ndërgjegjen e gjithësecilit, që nuk bën asnjë përpjekje për të mbajtur jo vetëm për këto breza por edhe për brezat që do të vijnë derën e shkollës shqipe të hapur, sa kohë ata e mbyllin orarin e punës së tyre vetëm tek orët e zbrasta/të thata dhe teorike të mësimit.
Një nga pyetjet më të shpeshta dhe formale të gazetarëve është „mardhëniet/bashkëpunimi/ndihmesa ose sa pranë/apo larg shkollës shqipe janë institucionet në Prishtinë dhe Tiranë?“ Pa diskutim edhe kjo ka shkaqet e veta, pasi të gjithë procesin mësimor ndër vite, dhe funksionim e shkollës shqipe duhet t`a shikojmë si një të tërë dhe jo të shkëputur, pra është në kompleks me kohën, situatën, kushtet dhe rrethanat. Qeveria në eksil e Kosovës, në fillim të viteve `90 por edhe më pas, deri në çlirimin e Kosovës me qëndrën e saj në Gjermani(NRW/Bonn), dhe kontakti i saj me diasporën ka funksionuar shumë mirë me të gjitha strukturat e saj, bashkëngjitur këtu edhe mbështetjen që i kanë dhënë shkollës shqipe, ku përherë numrin më të madh, ose pothuajse të vetëm(me shifra shumë të vogla nga trojet e tjera) e kanë patur shqiptarët nga Kosova. Plus këtu është për t`u lavdëruar edhe solidariteti që kanë treguar dhe vazdojnë të tregojnë edhe sot e kësaj dite shqipatrët nga Kosova, kur është fjala për të ndihmuar në ditë të vështira kombin, kudo qoftë ai në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri apo Shqipëri. Ne nuk presim që qeveritë tona të na zbresin yjet nga qielli, dhe është shumë e vërtet që qeveria e Tiranës i është bashkëngjitur më vonë këtij proçesi, por kjo nuk lë për të dëshiruar për punën dhe përpjekjet që ajo bën për të njohur nga afër problemet dhe sukseset e shqiptarëve apo edhe të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Diasporë. Kjo është pasqyruar si në bashkëpunimin e seminareve, në hartimin e përbashkët të dy qeverive të plan-progarmit të mësimit plotëuses apo edhe në mbulimin me tekste vitin e fundit, por gjithashtu edhe vizitat e shumta të z.Majko nëpër botë, pavarësisht se në vizitat e tij në Landin tonë(NRW) nuk pati mundësi të njihej më nga afër me KASH-in, por edhe me problematikat apo sfidat e mësimit të gjuhës shqipe këtu.
Dhe në fund dua të theksoj se duke kordinuar të gjitha mënyrat e bashkëpunimit dhe përvojat e ndryshme të qeverive në Tirane dhe Prishtinë do të ketë me shumë efikasitet në arritjen e qëllimeve tona, duke u nisur në atë që ne kemi të përbashkët dhe me kryesoren, gjuhën shqipe.