Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë znj. Evis Kushi dhe Ministri i Shtetit për Diasporën i Republikës së Shqipërisë z. Pandeli Majko, miratuan dhe firmosën paketën e dokumenteve rreth procedurave të zhvillimit të konkursit të teksteve mësimore për Diasporën, kriteret e recensuesve, si dhe shpalljen e konkursit për tekstet mësimore për Diasporën hartuar nga “Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve të Përbashkëta për Diasporën”.
Kjo paketë e dokumenteve rreth procedurave të zhvillimit të konkursit të teksteve mësimore për Diasporën, pritet të miratohet në ditët në vijim edhe nga z. Ramë Likaj, Ministër i Arsimit Dhe Shkencës i Republikës së Kosovës.
Komisioni, në zbatim të Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, datë 23.03.2015, “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”; të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 27.11.2017, “Për bashkëpunimin në fushën e diasporës”; bazuar në Urdhrin për ngritjen e grupit të punës nr. 2-1151, datë 7.07.2020, të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Kosovës; në Urdhrin nr. 3752, datë 22.07.2020, të Ministrit të Shtetit për Diasporën i Republikës së Shqipërisë “Për koordinimin nga ana e Qendrës së Botimeve për Diasporën të veprimtarisë së Komisionit të Përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Hartimin dhe Miratimin e Teksteve për Diasporën”; në Vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nr. 756, datë 23.9.2020, “Për funksionimin e Komisionit të Përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve të Përbashkëta për Diasporën”, arriti të përmbushë misionin e tij, duke miratuar paketën e plotë të dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, si dhe kriteret e përzgjedhjes së recensuesve të teksteve mësimore të përbashkëta për Diasporën.
Paketa e dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, përpos standardeve të teksteve mësimore të përbashkëta për Diasporën, të miratuara më parë, përmban dhe procedurën e aplikimit të pjesëmarrësve në konkurrim, procedurën e pranimit të teksteve mësimore për konkurrim, dokumentacionin ligjor të subjekteve pjesëmarrëse në konkurrim, procedurën e vlerësimit të teksteve mësimore nga recensuesit, deklarimin mbi çmimin e teksteve mësimore, procedurën e hartimit të listës paraprake të fituesve; procedurën e ankimimit të vendimit, detyrimet e shtëpive botuese, konfliktin i interesit etj.
Komisioni i përbashkët Shqipëri-Kosovë, i përbërë nga znj. Shqipe Gashi, MASH, Republika e Kosovës; z. Arbër Salihu, MASH, Republika e Kosovës; znj. Feime Llapashtica, MASH, Republika e Kosovës; z. Isni Kryeziu, MASH, Republika e Kosovës; z. Ymer Avdiu, Ministria e Punëve të Jashtme, Republika e Kosovës; znj. Anila Ferizaj, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Altea Tahiraj, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Erida Koleci, ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar), Republika e Shqipërisë; znj. Evis Mastori, ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar), Republika e Shqipërisë dhe znj. Mimoza Hysa Çuliqi, QBD (Qendra e Botimeve për Diasporën), Republika e Shqipërisë përmbushi detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e përbashkëta midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, për një politikë të përbashkët për mësimdhënien në diasporë dhe më anë të kësaj pakete të dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, tashmë i ka hapur udhën krijimit të këtyre teksteve, duke afruar kohën në të cilën ato do të jenë në duart e nxënësve në Diasporë.