Ndahet nga jeta shkrimtari, artisti e historiani i njohur Moikom Zeqo, autor i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, histori arti, si dhe i një sërë skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Veprat e tij kanë marrë disa herë çmime të para dhe janë përkthyer në mjaft gjuhë të botës, si: anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht etj. Është autor i tri ekspozitave vetiake në pikturë, si dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë, i vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.
Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Arsimin fillor e kreu në Libohovë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Histori-Filologji, degën gjuhë-letërsi dhe më vonë në degën Histori- arkeologji. Studimet pasuniversitare i kreu në Romë, Athinë, dhe Uashington të SHBA-së.Më 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita” dhe në vijim si mësues në Rrogozhinë. Më 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit dhe më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar. I është dhënë titulli Doktor i Shkencave dhe mban Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
SHPIRTI
Shpirti im,
po më braktis
si tymi,
që del
nga oxhaku
i zjarrit
të fundit
të fjalëve.
1997, Moikom Zeqo (1949-2020)