U zhvillua sot në ambientet e Kryeministrisë një takim i rëndësishëm pune për unifikimin e politikave të mësimdhënies në Diasporë mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për vijimin e punës për zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta në këtë fushë.
Në këtë mbledhje të organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën, mori pjesë Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe drejtues të lartë të institucioneve të diasporës së Shqipërisë, drejtues të lartë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, kryesuar nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Fadile Dyla, drejtues të lartë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, kryesuar nga drejtoresha e Departamentit për Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë, znj. Maliqe Hashani, drejtues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Armand Skapi, drejtues të lartë nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, kryesuar nga drejtoresha e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, znj. Zamira Gjini. Të pranishëm gjithashtu ishin dhe drejtoresha e kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën, znj. Ada Ilia, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, znj. Sonila Hysi, drejtoresha e Diplomacisë Publike dhe Diasporës, znj. Mira Hoxha, përgjegjësja e Sektorit të Programeve të Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Përbashkët të Shqipërisë dhe të Kosovës, znj. Anila Ferizaj, drejtori i Departamentit të Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar (MASHTI), z. Agim Bërdyna, drejtori i Departamentit Ligjor (MASHTI), z. Isni Kryeziu, udhëheqësi i Divizionit të Arsimit në Diasporë, z. Ymer Avdiu, zyrtarja për Arsimin në Diasporë, znj. Barbana Sekiraqa, përfaqësues të zyrës për Planprograme dhe Tekste Shkollore (MASHTI), znj. Shqipe Gashi dhe z. Arbër Salihu, si dhe udhëheqësja e Divizionit për Planprograme dhe Tekste Shkollore (MASHTI), znj. Feime Llapashtica.
Në fjalën përshëndetëse, Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, pasi përgëzoi punën e bërë nga Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës për miratimin e teksteve mësimore të përbashkëta për diasporën, nxiti përfaqësuesit e institucioneve kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë në fokus çështjen e mësimdhënies në diasporë që të bashkërendojnë punën dhe të përshpejtojnë ritmet për zbatimin e pikave të marrëveshjeve të përbashkëta me qëllim unifikimin e politikave të mësimdhënies në diasporë. “Ia vlen të kujtohet se kjo mbledhje po zhvillohet në të njëjtin ambient ku janë zhvilluar bisedimet për menaxhimin e krizës së Kosovës. Kjo sallë është dëshmitare se si kanë evoluar gjërat që nga ajo kohë. Luftën me plumb e kemi fituar, tani jemi përpara një beteje tjetër edhe më të vështirë, siç është ajo e globalizimit dhe asimilimit.”
Më pas, drejtoresha e QBD-së, znj. Mimoza Hysa Çuliqi, prezantoi shkurtimisht punën e bërë nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe paraqiti çështjet kryesore të diskutimit, bazuar në pikat e fushëveprimit të marrëveshjes së përbashkët.
Të pranishmit diskutuan mbi koordinimin për planifikimin, botimin dhe shpërndarjen e librave bazë, librave ndihmës dhe mjeteve të tjera mësimore për shkollat me mësim plotësues në gjuhën shqipe në Diasporë dhe në mërgatë, planifikimin e aktiviteteve të përbashkëta në Diasporë, organizimin dhe zhvillimin e Seminarit të Përbashkët “Për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë”, regjistrin e mësuesve në Diasporë dhe certifikatat vjetore.
Mbledhja do të vijojë ditën e nesërme me Komisionin e Përbashkët të Shqipërisë dhe të Kosovës.
QBD/ Takim mes Shqipërisë dhe Kosovës për unifikimin e politikave të mësimdhënies në Diasporë
Comments are closed.