Qendra e Botimeve për Diasporë sjell falas online përkthimin e rrëfimeve më të dashura nga letërsia shqipe për fëmijë, me autor Mitrush Kutelin. Përrallat e “Tregimeve të moçme shqiptare” vijnë në botimin dygjuhësh shqip-greqisht, përkthyer nga Eleana Zhako dhe redaktuar nga Edlira Jorgaqi në gjuhën greke. Së shpejti dhe në shtyp.
“Tregime të moçme shqiptare” është pjesë e projektit të botimeve dygjuhëshe, ndërmarrë nga QBD-ja. Dhjetë tregime të përzgjedhura nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”, me autor Mitrush Kutelin, të përkthyera në pesë gjuhë: anglisht, italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht.
Këto tregime dhe përralla do të shërbejnë për zgjerimin e njohurive, marrjen e informacionit dhe kultivimin e dijeve të nxënësve në Diasporë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën amtare. Ky botim shërben edhe si tekst ndihmës për shkollat në Diasporë, me qëllim thellimin e njohurive të tyre mbi gjuhën shqipe. Vepra e njeh brezin e ri të Diasporës me një autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, si dhe me një gjuhë të pasur, duke kultivuar ndjenjën e krenarisë për identitetin kombëtar shqiptar në Diasporë, duke i njohur ata me pasurinë e tregimeve të moçme shqiptare, si dhe me madhështinë e trashëgimisë sonë popullore. Botimi përfshin ilustrimet e Gazmend Lekës.
Në këtë projekt janë angazhuar përkthyes të rëndësishëm e me përvojë nga gjuha shqipe: Andrea Grill në gjuhën gjermane, Evelyne Noygues në gjuhë franceze, Eugenio Scalambrino në gjuhën italiane, Ron Berisha në gjuhën angleze dhe Eleana Zhako në gjuhën greke.
Për ta shkarkuar ose shfletuar librin, kliko këtu.