Qendra e Botimeve për Diasporën, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës të miratuar me vendim të Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën, Nr. 160 Prot., datë 16.04.2020 “Për miratimin e krijimit të Platformës online për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Diasporë”, boton online falas Librin e Mësuesit “Mësojmë Shqip, Niveli A1”, tekstin më të ri didaktik për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporën, hartuar nga dr. Adriana Fishta-Bejko, prof. dr. Aljula Jubani, prof. as. dr. Linda Mëniku. Ky tekst , i hartuar në harmoni me programin e kurrikulës së përbashkët të miratuar nga Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, është një udhëzues shumë i vlefshëm për mësimdhënien e librit të nxënësit “Mësojmë Shqip, Niveli A1”, por edhe për mësimdhënien në përgjithësi dhe vjen në kuadër të “Mëso shqip”, një paketë e dobishme e cilësore didaktike, e cila përmban 8 tekste didaktike ku përfshihen librat e mësuesit dhe materiale të tjera plotësuese.
Materialet letrare të përzgjedhura në këto tekste e ndihmojnë nxënësin të ndërmarrë një rrugëtim letrar nëpër temat e mëdha të botës shqiptare, siç janë ato të vendlindjes e atdheut, të gjuhës amtare, të vetëdijes identitare, të trashëgimisë kulturore e gjuhësore etj.
Një risi kjo në konceptimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë, në fushën e didaktikës adresuar posaçërisht për nxënësit e Diasporës që synon zhvillimin e kompetencave të tyre shumëgjuhësore dhe ndërkulturore, duke marrë në konsideratë dygjuhësinë dhe domosdoshmërinë e mësimit të gjuhës dhe të kulturës shqiptare si thelb i ruajtjes së identitetit e unit kombëtar.
Librin e mësuesit “Mësojmë Shqip, Niveli A1”, botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën, mund ta shkarkoni falas online këtu: