Sot në mjediset e QBD-së, në sallën e mbledhjeve “Fan Noli”, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa dhe drejtoresha e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, znj. Blerina Turdiu firmosën marrëveshje bashkëpunimi midis dy institucioneve.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është nxitja e bashkëpunimit midis dy palëve për shkëmbimin e ekspertizës dhe realizimin e projekteve për mbështetjen dhe përhapjen e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në diasporë. Institucionet do të koordinojnë veprimtarinë e tyre, duke i dhënë një rëndësi të veçantë kërkimit, hulumtimit dhe studimit të mundësive për ruajtjen, përhapjen dhe promovimin e gjuhës, të letërsisë shqipe, si dhe të kulturës shqiptare në diasporë.
Në këtë kuadër, palët do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për zhvillimin, plotësimin, zgjerimin dhe promovimin e projektit “Digjitalizimi i Veprave Shqiptare”; ofrimin e përvojës në shërbim të platformës “Digjitalizimi i Veprave Shqiptare”; organizimin e aktiviteteve, seminareve dhe konferencave të përbashkëta për gjuhën, letërsinë dhe kulturën dhe vlerat shqiptare në diasporë; krijimin e grupeve të punës për aplikimin në projekte të përbashkëta në thirrjet e projekteve të publikuara nga donatorë të ndryshëm.