Qendra e Botimeve për Diasporën në kuadër të marrjes së informacionit dhe zgjidhjes së problematikave të lindura nga situata e re e krijuar me shkollat shqipe në diasporë prej gjendjes së pandemisë globale, ka ndërmarrë një seri mbledhjesh online me drejtuesit e lidhjeve të mësuesve në diasporë. Sot, datë 6 maj, u zhvillua mbledhja me përfaqësues të lidhjes së mësuesve të Italisë, nën drejtimin e znj. Ariana Kosova dhe përfaqësues të Qendrës së Botimeve për Diasporën, nën drejtimin e znj. Mimoza Hysa.
Sipas rendit të ditës u diskutua mbi mënyrën e organizimit të mësimit të gjuhës shqipe në Itali dhe ndërgjegjësimin e institucioneve shtetërore të vendit të origjinës dhe vendit pritës për krijimin e kushteve me ambiente të përshtatshme pranë shkollave ekzistuese italiane. Një temë tjetër e diskutimit ishte dhe mundësia për afate më të zgjatura dhe lehtësira për përgatitjen e dokumentacionit për njohjen e titujve të mësuesve në diasporë përmes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, organizimi i trajnimeve të mësuesve, ngritja e platformës digjitale dhe hartimi i teksteve të përshtatshme për mësimdhënien në diasporë, si dhe nxitja dhe mbështetja e metodave të reja në mësimdhënien e gjuhës shqipe përmes organizimit të konkurseve të diturisë, shkollave verore në atdhe etj.
Palët u shprehën entuziaste për bashkëpunim të ndërsjelltë në ndihmesë të zgjidhjes së problematikave që u diskutuan.
Mbledhjet do të vijojnë dhe me përfaqësuesit dhe drejtuesit e lidhjeve të mësuesve në vendet e tjera.