Qendra e Botimeve për Diasporën në vijimësi të mbledhjeve të organizuara online me përfaqësuesit e mësuesve në Diasporë, me qëllim marrjen e informacionit dhe njohjen e problematikave të mësimdhënies në Diasporë, të lindura nga situata e re dhe jo vetëm, zhvilloi sot mbledhjen me mësuesit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Turqi dhe në Spanjë.
Në takim morën pjesë mësueset Teuta Tabaku nga Shkolla Shqipe në Bursa të Turqisë dhe Flora Andona e Shkollës Shqipe në Madrid të Spanjës.
Dy qasje të ndryshme të historikut të mësimdhënies të gjuhës shqipe në Diasporë dhe të ndikimit të shkollave shqipe në komunitetin shqiptar. Përkatësisht, znj. Tabaku solli në fokus përpjekjet dhe përvojën e saj 30-vjeçare në mësimdhënien e gjuhës shqipe për komunitetin shqiptar atje. Një përpjekje e konsoliduar tashmë edhe me mbështetjen e institucioneve shtetërore turke, ku shqipja është bërë pjesë e mësimit plotësues. Hapja e klasave shqipe ka ndikuar jo vetëm në përhapjen e kulturës shqiptare dhe gjuhës shqipe, por dhe në afrimin e ndërveprimin e komunitetit shqiptar atje.
Znj. Andona solli përvojën e hapjes për herë të parë të një Shkolle Shqipe në Madrid të Spanjës, çka ka sjellë interesimin e komunitetit shqiptar për mësimin e gjuhës amtare dhe do të vijojë me hapjen e klasave të gjuhës e kulturës shqiptare edhe në qytete të tjera të Spanjës, si: Barcelonë, Valencia etj.
Pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë e përcjelljes së përvojave, vlerësuan mundësinë e pajisjes me fjalorë dygjuhësh e literaturë plotësuese në ndihmë të mësimdhënies dhe diskutuan rëndësinë e përdorimit të platformës digjitale të mësimdhënies të ofruar nga QBD-ja.
Ndër të tjera u diskutua mbi mënyrën e organizimit të mësimit të gjuhës shqipe në Turqi e në Spanjë gjegjësisht me specifikat kushtëzuar nga sistemet arsimore dhe historikun e komuniteteve shqiptare përkatësisht në secilin vend; hartimin e një politike mbështetëse promocionale për promovimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, një mënyrë nxitëse themelore kjo për ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar në Diasporë bartës të identitetit e kulturës shqiptare; nevojën e hartimit të teksteve të përshtatshme për mësimdhënien e gjuhës shqipe si një gjuhë e dytë në Diasporë; organizimin e trajnimeve online të mësuesve të gjuhës shqipe; krijimin e një forumi të përbashkët të mësuesve shqiptarë në Diasporë përmes QBD-së për shkëmbimin e përvojave të mira e diskutimin e problematikave të ndryshme të mësmdhënies në Diasporë; bashkëpunimin për krijimin e Javës Shqip si një mënyrë e rëndësishme promovimi e gjuhës e kulturës shqiptare; krijimin e Shkollës Verore për fëmijët e Diasporës si një mundësi për njohjen e historisë e kulturës shqiptare etj.
Mbledhjet do të vijojnë dhe me përfaqësuesit dhe drejtuesit e lidhjeve të mësuesve në vendet e tjera.