U hap dje në Zara të Kroacisë, Kuvendi Ndërkombëtar i Albanologjisë “Symbiosis on the shores of the Adriatic Sea-Encounters and dialogues among cultures”, organizuar nga revista “Shêjzat–Pleiades” në bashkëpunim me Universitetin e Zadarit, Shoqatën Italiane të Studimeve të Europës Juglindore dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Në këtë kuvend marrin pjesë personalitete të rëndësishme të fushës së albanologjisë dhe ballkanologjisë si Francesco Altimari, Matteo Mandala, Andrey N. Sobolev, Lucia Nadin, Persida Asllani, Ardian Ndreca etj. Në hapjen e kuvendit përshëndetën Ambasadori shqiptar në Kroaci z. Riza Poda, prorektorja e Universitetit të Zadarit si dhe Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, e cila përcolli përshëndetjet e Ministrit të Shtetit për Diasporën.
“Vendet janë shtresëzime historike, janë lëmshe kohe, thurmë që duhet zhdërvjellur. E dëshmon këtë edhe ky vend, Zara, dhe komuniteti arbnesh ngulitur këtu më shumë se tre shekuj më parë: është puna e studiuesve ajo që merr rëndësi për t’i njohur këto vende dhe komunitete, për t’i hulumtuar dhe interpretuar”, tha znj. Hysa, e cila ndër të tjera në fjalën e saj, informoi të pranishmit edhe për formimin e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, si mbështetëse e studiuesve në hulumtimin dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe historisë së komuniteteve arbëreshe kudo që ndodhen.
Ditën e parë e mbylli një koncert i magjishëm me tinguj ballkanikë.