Letërsia e migracionit nuk është një fenomen i kohëve të fundit, dhe në historinë e letërsisë shqiptare dëshmi konkrete janë autorët arbëresh. Megjithatë letërsia e krijuar në mërgatë është një dukuri që u konsolidua me hapjen e Shqipërisë dhe valët migratore të fillim viteve ’90. Janë të shumë autorët shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, pak të njohur dhe akoma më pak të studiuar. Qendra e Botimeve të Diasporës, me qëllim njohjen e autorëve shqiptar në Diasporë sjell botimet e tyre në një revistë, e cila tashmë mund të shfletohet falas online.
Ky botim me intervista, analiza, retrospektive, krijimtari vjen me synimin jo vetë të mbrojtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe përmes letrave të bukura por dhe vendosjen e urave të komunikimit të autorëve shqiptarë në kohë apo vende të ndryshme, mes vetes dhe lexuesit, shqiptar apo të huaj, në mbështetje të krijimtarisë më të mirë.
Në këtë numër të parë gjenden shkrime të autorëve shqiptarë Ardian Vehbiu, dhe bashkëbisedimi me të për gjurmimin e gjuhës që i flet. Bashkim Shehu vjen me “Jeta dhe ëndrra e Anahanëm Bagirovës, dhe rrëfimi i tij se trupi i tekstit ka gjithmonë diçka shqiptare me një shpirt që synon universale.
Darien Levani vjen me “Nata, vazhdo”, si dhe dhjetë poezi të Rudolf Markut. “I ngujuari” i Telemak Koça vjen bashkë me rrëfimin e tij se shkrimtari nuk i shërben asnjë atdheu ndërsa Ylli Demneri thotë se nostalgjia e manipulon realitetin teksa botohet “Fotografia” e tij.
Kryeredaktore e revistës është gazetarja Arta Marku. Revista është konceptuar me rubrika të ndryshme, si: intervista ekskluzive, krijimtari dhe biseda me shkrimtarë, recensa, dosje, retrospektivë, si dhe informacion mbi botimet e reja. Të pranishëm në këtë numër: Ardian-Christian Kyçyku, Ardian Vehbiu, Bashkim Shehu, Telemak Koça, Rudolf Marku, Darien Levani etj. Kanë bashkëpunuar gjithashtu studiuesit Lisandri Kola, Eleni Laperi, Arben Ndreca, Zana Varvarica Kuka. Pikturat e Lin Delisë shoqërojnë përmbajtjen e numrit të parë. Për paraqitjen grafike është kujdesur piktori Elsi Kongo.
Kjo revistë do të vijë së shpejti dhe në gjuhën angleze.
Numrin e parë të revistës “Letra nga Diaspora” mund ta lexoni këtu:
Qendra e Botimeve për Diasporën publikon falas online numrin e parë të revistës letrare“Letra nga Diaspora”
Comments are closed.