Qendra e Botimeve për Diasporën, mirëpriti në mjediset e saj, dy oficeret koordinuese për çështjet e Diasporës shqiptare pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në Selanik dhe Athinë, znj. Aurela Konduri dhe znj. Joneda Dodaj.
Në takimin e zhvilluar u diskutuan një sërë problematikash lidhur me mësimdhënien në Diasporë, cilësinë e saj, format e mundësitë e rritjes së nivelit të saj, si dhe hapja e dritareve të reja në fushën e bashkëpunimit e ndërveprimit, sidomos për lehtësimin e përshtatjen e procedurës së regjistrimit të mësuesve, trajnimin e tyre posaçërisht lidhur me nxënësit dygjuhësh, dhe njohjen e tyre si aktorët kryesorë e ndërmjetësit bazë në përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Znj. Konduri shprehu vlerësimin e saj për mbështetjen e Qendrës së Botimeve për Diasporën, sa i takon mësimdhënies në Diasporë, veçanërisht për projektet e Botimeve Dygjuhëshe, duke përcjellë njëkohësisht nevojën për vijimin e bashkëpunimit në zgjidhjen e problematikave të tjera të rëndësishme.
Znj. Dodaj vuri theksin në domosdoshmërinë e vëmendjes ndaj ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në brezin e dytë të emigrantëve, pjesë e së cilës është dhe ajo vetë, si dhe hatimit të politikave dhe projekteve të posaçme në mbështetje të kësaj kategorie.
Në takim u propozuan një sërë idesh të reja me frymë bashkëpunimi, me qëllim përhapjen, mbështetjen dhe dhënien përparësi në Diasporë të gjuhës dhe kulturës shqiptare, realizimi i të cilave do të planifikohet në vijimësi.
Komuniteti shqiptar në Greqi për herë të parë në historinë e Diasporës ka oficerë koordinues, të cilët do të merren me çështjet e Diasporës shqiptare në fushën e kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë.
Aurela Konduri është një ndër veprimtaret, mësueset më të përkushtuara, vlerësuar me shumë çmime për punën e saj të pakursyer dhe cilësore, e caktuar së fundmi oficere koordinuese për çështjet e Diasporës shqiptare pranë konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Selanik.
Joneda Dodaj, lindur në Shqipëri dhe rritur në Greqi është diplomuar në Greqi, Belgjikë e Spanjë, zotëruese e disa gjuhëve të huaja dhe një zë i ri, i pasionuar dhe mjaft premtues në fushën e problematikave të Diasporës.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave oficerët koordinues të Diasporës do të ushtrojnë funksionin e tyre sipas fushave të përcaktuara si: zhvillimi i marrëdhënieve me komunitetet shqiptare në shtetin pritës, kjo në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, identifikimin e nevojave për arsimimin dhe komunikimi me mësuesit e programeve plotësuese të gjuhës e të kulturës shqiptare në bashkëpunim me Qendrën e Botimit të Diasporës, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare në vendin pritës në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës si dhe identifikimin dhe asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin me heqje të lirisë në shtetin pritës në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për drejtësinë.
Qendra e Botimeve për Diasporën, takim me oficeret koordinuese për çështjet e Diasporës shqiptare në Greqi
Comments are closed.