Robert Shvarc e Amik Kasoruho, dy prej emrave më të mëdhenj të përkthimit e letrave shqipe, nuk i bashkon vetëm veprat e mrekullueshme që i lanë trashëgim lexuesit shqiptar, dashuria e epërme për gjuhën dhe lëvrimi me një cilësi të pashoqe i saj, por mbi të gjitha miqësia e veçantë që kishin me njëri-tjerin. Vëllimi poetik “Vargjet e pluhurosura” i Robert Shvarc u botua pas vdekjes së tij nën kujdesin e përkthyesit e shkrimtarit Amik Kasoruhos.
“Vëllimi që mendohet të botohet është i pari me poezi i Robert Shvarcit, që lexuesit e njohin vetëm si përkthyes. Poezia e tij ka për të qenë një risi e beftë. Ajo është e ngrohtë e plot ndjenjë.
Unë kam ruajtur një pjesë të vogël të krijimeve poetike të Shvarcit. Një pjesë të tyre, ia pata kthyer nga fundi i viteve ‘90 dhe ai i ka ruajtur ashtu siç ia pata kthyer unë, me shënimin “Amikut, nga veprat e mia postume”. …Ishte një miqësi do të thosha e pazakontë, fisnike, e pastër dhe që i duroi tallazeve të jetës. Një miqësi që – e them pa frikë se lajthis – i kishte të rralla shoqet.
Poezitë e tij, ashtu sikurse edhe përkthimet e tij mjeshtërore, Shvarci i ka punuar gjithmonë në mbrëmje apo natën. Ditën duhej të punonte për të fituar kotheren e bukës…”, shprehet ndër të tjera Amik për Robert Shvarc, mikun e tij, në letrën e tij për publikimin e veprës “Vargjet e pluhurosura”, publikim të cilin ai u kujdes personalisht.
Lexo më shumë mbi publikimin e veprës “Vargjet e pluhurosura”