Si sot, 17 vjet më parë u nda nga jeta Robert Shvarc, një ndër lëvruesit më elegantë të gjuhës shqipe që me përkthimet e tij të pakrahasueshme i dhuroi lexuesit shqiptar vlera të çmuara të letërsisë botërore, sidomos asaj gjermane, sjellë në shqip me mjeshtëri të rrallë ku spikat dashuria për gjuhën shqipe dhe kultura e tij e gjerë.
“Me përkthimet e mia, u kam treguar popujve fqinjë se gjuha shqipe është një nga më të vjetrat dhe më të pasurat. Nuk ka asgjë të papërkthyeshme në gjuhën shqipe, përderisa janë përkthyer vepra unike si “Iliada” e Homerit, “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit etj. Gjej rastin t‘u bëj thirrje gazetarëve dhe gjithë të rinjve të ruajnë këtë gjuhë si identitet të kombit, për më tepër tani kur shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit rrezikojnë të harrojnë gjuhën e tyre”, është shprehur ai.
Robert Shvarc (Sarajevë, 10 dhjetor 1932 – Tiranë, 25 prill 2003) qe përkthyes hebreo-shqiptar. Një ndër përkthyesit më të vlerësuar e të dashur për lexuesin shqiptar, Shvarc njihet për punën e bërë me shqipërimin e letërsisë gjermane dhe “Eksodin” e Leon Uris.
I lindur në Sarajevë, me baba hebre nga Austria dhe nënën nga Elbasani, ai dashuroi dhe lëvroi në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe dhe përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.
I është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh dhe ka marrë titullin Qytetar Nderi i Tiranës. Më 1995 u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane” duke u bërë i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull në fushën e përkthimit dhe e para figurë e shquar e vendeve të Lindjes që nderohej nga presidenti gjerman i asaj kohe. Ai ka sjellë një sërë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas: “Tre shokë”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, “Shkëndija e jetës”, “Obelisku i zi” nga Erih Maria Remark; “Çifutja e Toledos”, “Françesko Goja” nga Lion Fojtvanger; drama të Bertolt Brehtit “Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj”, “Kënga e një nëne gjermane”, “Ditët e Komunës”, “Arturo Ui”, “Pushkët e nënës Karrar”, “Opera për tre grosh”, “Baali”; nga Heinrich Heine “Gjermania, përrallë dimri”; nga Gëte dhe Shileri “Poezi dhe balada”. Shvarc ka përkthyer në gjuhën gjermane autorë shqiptarë si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Ervin Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Rexhep Qosja etj.
“Vargje të pluhurosura” është libri i tij me rreth 110 poezi, të shkruara kryesisht në vitet ’50-’60, ku në çdo varg e strofë poeti sjellë rininë e tij, një copëz përjetësie idealesh, kujtese e shenjtërie.