SHBA, 725 tekste shkollore dhe plotësuese të paracaktuara për mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare, dërguar falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën arritën tashmë te mësuesit e shkollave shqipe atje, pikërisht në kohën e duhur për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Librat, të dërguar nga QBD-ja, nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën mbërritën përmes MEPJ-së e Postës Shqiptare, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë.
Përveç teksteve shkollore dhe një larmie titujsh plotësues për nxënësit e komunitetit shqiptar në SHBA, përfshihet edhe risia “Botimet Dygjuhëshe”, projekt i QBD-së, e cila ofron Fjalorin dygjuhësh Shqip-Anglisht dhe serinë me përralla dygjuhëshe “Klasikët-Dygjuhësh”. Tekste të cilat do ta bëjnë mësimin e gjuhës edhe më të lehtë e argëtues.
Këtë vit, Shkollat e Gjuhës Shqipe në SHBA kanë filluar të funksionojnë online, në saje të rregullave të periudhës së pandemisë.
Duke ndjekur traditën e disa viteve me radhë, ambasadorja e RSH-së në Uashington DC Floreta Faber udhëtoi drejt Nju-Jorkut ku shpërndarja e librave për disa shkolla u krye në mënyrë të centralizuar dhe me këtë rast ajo zhvilloi edhe një takim me drejtuesit shkollave të atjeshme. Prej vitesh, Ambasada e RSH-së në Uashington DC luan një rol të rëndësishëm në procesin e pajisjes me tekste shkollore të fëmijëve që mësojnë në shkollat shqipe atje.
Ambasada filloi shpërndarjen e librave për shkollat e Nju-Jorkut, Nju-Xhersit, Konektikat dhe Filadelfia. Procesi i shpërndarjes së librave shqip do të vijojë në ditët ne vijim me shkollat në shtetet e Teksasit, Miçiganit, Ilinoisit, Arizonës, Masaçustes, Floridas si dhe shkollave të tjera që mund të hapen në vijim.
Tekste të ndryshme shkollore, tekste cilësore që kanë shenjuar letërsinë shqipe, seria më e re e botimeve dygjuhëshe nga Qendra e Botimeve për Diasporën, një sërë vlerash, materialesh të ndryshme didaktike, akses online të botimeve tona dhe të platformës së mësimit shqip “Schoolme” janë tashmë në dispozicion të mësuesve për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporën e SHBA-së.
Të gjithë librat e dërguar nga QBD-ja janë falas për fëmijët që ndjekin shkollat e gjuhës shqipe.

Shfleto.