Në numrin e tetëdhjetenëntë të gazetës ExLibris autori Arb Elo bën një shkrim për poezinë “Mall” të Ismail Kadaresë. “Dua të them se për mua të shkruarit për letërsinë, kritika letrare, duhet të jetë, në mos e bukur vetë, të paktën tërheqëse; shpresoj që radhët që vijojnë të jenë të tilla, përndryshe do të më duhej të kërkoja ndjesë qysh tani për fëlligështinë e ndërmarrjes, pa i shkruar ato akoma. Aq më tepër që subjekti i saj është fort eterik: një vjershë, brishtësia e një të tille mund të tejkalohej vetëm nga ajo e muzikës, – apo dhe vesës ndoshta”, shprehet ai. Arb Elo është i diplomuar si arkitekt dhe jeton e punon në këtë profesion qysh prej vitit 1990 në Gjermani. Është autor i disa vëllimeve me poezi: “Rrëfime hijesh” (2010), “Mirazh” (2011), “Zero 3D” (2012), “Xixa të zeza” (2013), “End(j)e” (2014), “Rrokje vdeknisht” (2016), “Linjë e vonë” (2017), “Poezi të zgjedhura” (2018) dhe i vëllimit me proza “Ursa Major”. Ka publikuar në revista të ndryshme letrare artikuj kritikë për letërsinë dhe tema bashkëkohore, përkthime ciklesh me poezi nga Hilde Domin, Ingeborg Bachmann, Rose Ausländer, Paul Celan, si edhe ka sjellë në shqip veprën e plotë të Georg Traklit dhe një përzgjedhje të veprës poetike të R. M. Rilkes.