Datë 24.08.2020

NJOFTIM PËR KONKURRIM PËR VEND PUNE

Në zbatim të Ligjit nr.16, date 18/04/2018 “Për diasporën”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën nr. 469, datë 26.07.2018 si dhe Ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, QBD do të shpallë në faqen zyrtare të internetit dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” konkursin për pozicionin:

  • Specialist Jurist në Sektorin e Financës dhe sherbimeve Mbështetëse pranë QBD-së

Kategoria e pagës për këtë pozicion është IV-a.

Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:

  1. Ofron këshillim ligjor, sipas kërkesës, për drejtorin dhe sektorët me qëllim aplikimin e drejtë të ligjit;
  2. Koncepton të gjitha aktet administrative dhe shkresa të ndryshme që nxirren nga QBD-ja në përputhje me ligjin;
  3. Harton të gjitha aktet administrative sipas procedurave ligjore që parashikohen në Kodin e Procedurave Administrative, Kodin e Punës dhe në legjislacionin në fuqi në lidhje me emërimin, masat disiplinore dhe largimin nga detyra të  punonjësve  dhe mban regjistrin e tyre, duke bërë përditësimin sipas rastit;
  4. Harton të gjitha kontratat që QBD-ja lidh me subjekte të ndryshme, qofshin këta persona fizikë apo juridike;
  5. Përfaqëson QBD-në në të gjitha nivelet e gjykatave për çështjet ku ajo është palë apo palë e interesuar me qëllim mbrojtjen e interesave  të institucionit;
  6. Bën interpretimin juridik të korrespondencës zyrtare që ka të bëjë me punën e QBD-së;
  7. Asiston, sipas kërkesës, në përgatitjen e të gjithë projektkontratave të kërkuara për krijimin e marrëdhënieve ligjore me palët e treta duke ofruar opinionin ligjor përkatës;
  8. Kontrollon, dhe kur është e nevojshme, harton të gjitha aktet ligjore (ankimime, rekurse, pretendime, prapësime, akt-ekspertime etj.) për sigurimin e një përfaqësimi sa më të denjë të QBD-së në të gjitha nivelet e gjykatës;
  9. Raporton periodikisht tek eprori përkatës në lidhje me shkresat që i adresohen drejtorisë, kthimin e përgjigjeve si dhe statistika të tjera të aktivitetit ditor;
  10. Nën drejtimin e drejtorit, siguron të dhënat e nevojshme nga strukturat përkatëse në institucion për përgatitjen e regjistrit të parashikimit dhe regjistrit të realizimit të procedurave të prokurimit publik;
  11. Përgjigjet tek drejtori për menaxhimin e çështjeve që lidhen me procedurat e prokurimit për t`u zhvilluar në institucion, duke bashkëpunuar edhe me sektorët e tjerë për realizimin e planit të vjetor të prokurimit;
  12. Është personi përgjegjës që merret me administrimin e dosjeve të punonjësve dhe të masave disiplinore të dhëna ndaj tyre;
  13. Zbaton kërkesat e Ligjit nr. 9643 datë 20.11.2006, i ndryshuar, VKM  Nr. 914, datë 29.12.2014 si dhe udhëzimet përkatëse deri në raportimin përfundimtar të ekzekutimit të kontratës;
  14. Përgatit shkresa përcjellëse, kthim përgjigje apo korrespondencë tjetër të nevojshme me institucione publike ose kompani private sipas detyrave të dhëna dhe afatit të përcaktuar nga përgjegjësi i sektorit/drejtori i QBD-së;
  15. Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga Drejtori i QBD-së në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe brenda objektivave të punës së tij.

 

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurrimit publik:

Të jetë shtetas shqiptar;
Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;
Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;

 

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme sa vijon:

a – Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në Shkenca Juridike;
b – Të ketë të paktën 4 vite përvojë pune në profesion nga te cilat te paktën 3 në prokurime;
c – Të ketë ushtruar profesionin si avokat dhe të ketë punuar me Gjykatat;
ç – Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze.

 

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:

Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

  • Jetëshkrimi CV;
  • Fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara;
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  • Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve të bëhet brenda datës 08.09.2020, pranë Zyrës së Protokollit të QBD-së ose në adresën e emailit .

Në datën 09.09.2020, QBD do të shpallë në faqen zyrtare të internetit, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për të vijuar me testimin, si dhe datën, vendin dhe orën e saktë kur do të zhvillohet intervista.

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk plotësojnë kushtet për t’u futur në konkurrim dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht nga QBD për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail).

 

FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA

Kandidatët do të testohen në lidhje me:

– Njohuritë mbi Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
– Njohuri mbi Ligjin nr.16, datë 18.04.2018 “Për diasporën”;
– Njohuri mbi VKM nr. 469, datë 26.07.2018 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”.

 

MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe certifikimin pozitiv.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a – Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b – Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c – Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

 

DATA E DALJES SË REZULTATEVE TË KONKURRIMIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD) do të shpallë fituesin në faqen zyrtare. Të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike nga QBD-ja, për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail).