Në datat 26-30 gusht në Fano do të rikthehet festivali “Passagi”, ngjarja kombëtare kushtuar librit dhe analizave bashkëkohore, drejtuar nga gazetari Giovanni Belfiori. Tema e edicionit të tetë të këtij festivali është: “Të lexosh për të kujtuar”. Një kaleidoskop, në të cilën librat dhe autorët kanë detyrë të tregojnë kompleksitetin e të tashmes që do ta transformojnë Fanon në një qytet kulture me gjashtëdhjetë evente përgjatë pesë ditëve.
Narracioni Evropë/Mesdhe këtë vit i është dedikuar autorëve të huaj që jetojnë në Itali. Një vëmendje e veçantë i është dhënë Shqipërisë, për të vazhduar me lidhjen e nisur me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe me Qendrën e Botimeve për Diasporën në Tiranë. Të premten do të jetë i ftuar italo-shqiptari Elvis Malaj me romanin “Deti është i rrumbullakët” (Il mare è rotondo) dhe do të bashkëbisedojë me Pavolini e Alice Astrella. Të shtunën do të jenë dy shkrimtarë të tjerë shqiptarë që jetojnë në Itali, mjeku Arben Dedja “Traktati mjekësor”(Trattato di medicina) dhe Durim Taçi me romanin e tij “Extra Time” në bashkëbisedim me Jessica Chia de La Lettura – Corriere della Sera.