82 vjet më parë lindi gjuhëtari i mirënjohur Emil Lafe. Ai është bashkautor në disa vepra themelore për gjuhën shqipe, si “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Gramatika e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia” (1976, 1995, 2002), “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe (1980), “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë” (2002), si dhe në “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” (1976), “Për pastërtinë e gjuhës. Fjalor” (1998).
Ka botuar studime e artikuj në fushën e dialektologjisë, të gramatikës historike e të sotme, të fjalëformimit, të historisë së shqipes së shkruar etj. Në mënyrë të veçantë u është kushtuar çështjeve të shqipes standarde e të kulturës së gjuhës; prej vitit 1993 është kryeredaktor i revistës “Gjuha jonë”. Ka qenë anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.