Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën, i cili po mbahet prej dy ditësh në Prishtinë, ka hartuar dhe ka miratuar standardet për tekstet mësimore të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë dhe Mërgatë në përputhje me legjislacionet e të dyja vendeve.
Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën është ngritur në zbatim të marrëveshjes së miratuar midis dy shteteve “Për organizmin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë dhe mërgatë”, koordinohet nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe ka në përbërje të tij përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, si dhe nga  Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës.