Përkujtojmë sot 90-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe patriotit Bajo Topulli. Bajo Topulli u arsimua në Stamboll që në moshën 11 vjeçare, ku ra në kontakt me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos. Në vitin 1904 bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.
I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930. Fjalën e lamtumirës e ka mbajtur Eqerem Çabej, i cili ndër të tjera ka thënë: “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”!