Anilda Ibrahimi ka lindur në Vlorë, më 30 prill 1972, dhe ka ndjekur studimet e larta në Universitetin e Tiranës. U largua nga Shqipëria në vitin 1994, duke u shpërngulur në Zvicër. Në vitin 1997 ajo u transferua në Romë, Itali, ku aktualisht vijon të jetojë.
Romani i saj i parë “Rosso come una sposa”, u botua në vitin 2008 nga Shtëpia Botuese “Einaudi” dhe ka marrë çmimet “Edoardo Kihlgren – Città di Milano”, “Corrado Alvaro”, Città di Penne, si dhe “Giuseppe Antonio Arena”. Po me Shtëpinë Botuese “Einaudi” ajo ka publikuar romanin e saj të dytë “L’amore e gli stracci del tempo” (në vitet 2009 dhe 2011), për të cilin janë marrë të drejtat kinematografike dhe çmimi “Paralup” i Fondacionit Nuto Revelli. Krijimtaria e saj vijon me romanin “Non c’è dolcezza” botuar në vitin 2012 dhe “Il tuo nome è una promessa”, publikuar në vitin 2017, për të cilin fitoi çmimin kombëtar letrar si gruaja shkrimtare “Rapallo Carige”.
Muza frymëzuese për të ka qenë figura femërore, sidomos ajo e grave shqiptare të viteve ’80, që e ka skalitur aq bukur nëpërmjet penës së saj dhe mënyrës së të treguarit të thjeshtë dhe elegante.
Në të gjitha romanet e Anildës ka elemente autobiografike. Ato janë përkthyer në gjashtë gjuhë të botës dhe janë vlerësuar me çmime të rëndësishme të letërsisë.
Anilda Ibrahimi është shkrimtarja shqiptare më e suksesshme në Itali dhe një nga emrat më të spikatur të letërsisë bashkëkohore italiane. Ajo konsiderohet zëri i diasporës shqiptare.
Veprat:
“Cristallo di tristezza”, Eurorilindja ed., 1996.
“Rosso come una sposa”, Einaudi, 2008.
“L’amore e gli stracci del tempo”, Einaudi, 2009.
“Non c’è dolcezza”, Einaudi, 2012.
“Il tuo nome è una promessa”, Einaudi, 2017.
Disa nga poezitë janë pjesë e koleksioneve antologjike:
“Quaderno balcanico I”, Loggia de’ Lanzi, 2000.
“Lingue di terre, lingue di mare”, Mesogea, 2001.