Një vit më parë nisi punën e saj Qendra e Botimeve për Diasporën, institucion në shërbim të misionit të Ministrit të Shtetit për Diasporën. Misioni i kësaj qendre është mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe, njohja dhe përhapja e kulturës kombëtare përmes botimit të teksteve shkollore, librave me përmbajtje letrare, historike, sociale etj., si dhe organizimi dhe mbështetja e veprimtarive edukative për shqiptarët në Diasporë.
Në një intervistë për “Gazeta Diaspora” drejtoresha e kësaj qendre, znj. Mimoza Hysa, tregon për projektet e realizuara gjatë kësaj kohe, rrugëtimin e bërë deri më tani dhe të ardhmen e qendrës.
“…I kërkova rrënjët e kësaj nisme në “Shoqërinë e të shtypurit të shkronjavet shqip” të Stambollit, më 1879, e cila mund të themi se është e barasvlershmja e qendrës sonë, ngritur me mund dhe sakrifica gati një shekull e gjysmë më parë nga patriotët shqiptarë në Diasporë, të cilët sollën abetaret dhe librat e parë të mësimit të gjuhës shqipe në atdhe. Qendra jonë u ngrit për të përmbushur një mision dhe detyrim të rëndësishëm që kemi të gjithë në drejtim të ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe, tashmë në kahun e kundërt, nga Atdheu në Diasporë”, shprehet ndër të tjera znj. Hysa.
Znj. Hysa shprehet se përgjatë një viti Qendra e Botimeve për Diasporën ka vendosur kontaktet me të gjitha shkollat shqipe në Diasporë, ka krijuar një bazë të dhënash (database) të hollësishme të mësuesve kudo ndodhen dhe, për herë të parë, në kohën e duhur, brenda muajit shtator të vitit të kaluar, ka plotësuar nevojat imediate të tyre me tekste shkollore.
“Në një vit përmbledhtazi: sigurim tekstesh shkollore falas për të gjithë nxënësit në Diasporë, sigurim literature shtesë, sigurim falas të platformës digjitale të mësimdhënies, botime dygjuhësore, hartim të regjistrit të mësuesve, aktivitete promovuese për të mbështetur përhapjen e gjuhës shqipe dhe letërsinë shqipe jashtë vendit. Mjafton që tashmë mësuesit e gjuhës shqipe në Diasporë e dinë që kanë një institucion që u përgjigjet në çdo kohë dhe nuk ndihen vetëm në sipërmarrjen e tyre heroike prej vitesh për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Dhe ne gati i njohim emër për emër. Dhe nuk janë pak: regjistri ynë i të dhënave shënon deri tani 450 mësues të shpërndarë në të gjithë botën”, thekson ajo.
“Mund të them se kemi punuar fort, se kemi tashmë një vizion të qartë se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Po nëse ju e quani të suksesshëm këtë vit tonin, do të thosha se çelësi i suksesit është gjithnjë bashkëpunimi në nivel institucional, dhe këtu do të falënderoja mbështetjen e pakursyer të ministrit të Shtetit për Diasporën, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Drejtorinë e Diasporës në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me të cilët është e lidhur ngushtësisht puna jonë, Këshillin Koordinues të Botimeve për Diasporën, të kryesuar nga drejtori i BKSH-së, që këshillon dhe vlerëson projektet e Qendrës sonë, si dhe Lidhjet e Mësuesve nëpër botë, me të cilat kemi bashkëpunim të ngushtë. Sfafi i QBD-së ka dëshmuar vizion të qartë, organizim të mirë dhe vullnet për punë. Urojmë ta kemi rrugën e gjatë dhe mbështetjen e duhur për të përmbushur misionin tonë”, përmbyll ajo intervistën e saj.