Rudolf Marku lindi më 1952 në Lezhë. Është autor i disa vëllimeve poetike, romaneve, shkrimeve publicistike dhe përkthyes i shumë autorëve të njohur të shekullit XX. Romani i tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.” është fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2015. Është nderuar me Çmimin e Poezisë Evropiane në Berlin (2007), “Naim Frashëri”, “At Zef Pllumi”, “PEN” etj. Poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës dhe janë përfshirë në shumë antologji letrare prestigjioze.
Ka përkthyer dhe botuar përgjatë shumë vitesh, poezi të Kuazimodos, Xh. Ungaretit, K. Kavafis, Katulit, E. Poundit, T. S. Eliotit, U. Odenit. Ka botuar publicistikë dhe kritikë letrare në shtypin e kohës. Ka paraqitur para lexuesit shqiptar për herë të parë shumë autorë të shquar të letërsisë bashkëkohorë. Poezitë e Rudolf Markut janë përkthyer dhe botuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe në disa gjuhë të tjera.
Vepra:
“Shokët e mi”, poezi, 1973
“Sërish”, poezi 1976
“Rruga”, poezi 1980
“E dashur”, poezi, 1984
“Udhëtim në vendin e gjërave që njohim”, poezi, 1988
“Aventurat e qenit të padukshëm Pog”, roman për fëmijë, 1990 (ribotuar 2013, “Uegen”)
“Tokë e shkretë”, 1991 (Përkthim për herë të parë në gjuhën shqipe i T. S. Eliot, Ezra Pound dhe W.H. Oden. Ribotuar me titullin “Tre poetë amerikanë”)
“Vdekja lexon gazetën”, poezi, 1994
“Allahland”, roman, 2006
“Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”, roman (“Uegen”, 2011, çmimi kombëtar “PEN”)
“Një Ballkanas në Londër”, poezi, 2012 (çmime: “Pena e argjendtë”, “At Zef Pllumi”, “Naim Frashëri”)
“Një letër që na vjen pas vdekjes”, ese, 2014
“Tre Divorcet e zotit Viktor N.”, roman, 2015 (“Mapo Editions”, çmimi “Kadare” 2015)
“Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme”, antologji e poezisë botërore (“UET Press”, 2016)
“Kësulëkuqja vjen me trenin e Dhjetës”, roman, 2019 (ribotim i përpunuar)