Shkrimtari Ardian Ndreca, i ftuar në një intervistë flet rreth librit të tij “Filozofia e hapësirës urbane” (Filosofia dello spazio urbano). Ajo që ka vënë në qendër të studimit të tij është se hapësira urbane prodhon qytetarë, qytetarët krijojnë qytetërim. “Ne jemi një vend ku hapësirat tona urbane nuk prodhojnë qytetërim, prodhojnë vetëm mbivendosje njerëzish, zhvendosje njerëzish, keq zhvendosje njerëzish. Fjala qytetar është shumë komplekse, shumësimensionale, shumëplanëshe. Kjo është edhe sfida e sotme, prandaj qytetet krijohen me ide dhe me njerëz”, shprehet ai.
Libri gjurmon disa trajektore urbane, në dialog të hapur me disiplina të tjera themelore, duke reflektuar në tensionet e përjetuara që zhvillohen në çështje që lidhen me lëvizshmërinë, shpërndarjen urbane, konsumin e hapësirës, teknologjitë më të larta. Autori i kushton vëmendje të veçantë marrëdhënieve konstituive midis kishës dhe qytetit.
Shkrimatri Ardian Ndreca lindi në Shkodër dhe mbaroi studimet e larta për filozofi në Romë ku jeton që prej vitit 1990. Mban katedrën e Historisë së Filozofisë moderne pranë Universitetit Urbanian dhe është profesor i ftuar pranë universitetit “John Carroll” (Cleveland). Në vitet 2006-2015 ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës” dhe nga viti 2016 drejton të përkohshmen “Shêjzat”. Ka qenë i pranishëm në shtypin shqiptar me artikuj kritikë, polemika dhe shkrime të natyrës historike. Ka botuar një seri artikujsh filozofikë në revista të specializuara dhe është organizator i disa konferencave shkencore dhe kuvendeve ndërkombëtare.