Ndër 12 anëtarët e rinj të pranuar rishtas në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë janë edhe dy emra mjaft të njohur të letrave shqipe, Ardian Ndreca dhe Ardian Vehbiu, të cilët jetojnë përkatësisht në Itali dhe SHBA.

Ardian Ndreca lindi në Shkodër dhe mbaroi studimet e larta për filozofi në Romë ku jeton që prej vitit 1990. Mban katedrën e Historisë së Filozofisë Moderne pranë Universitetit Urbanian dhe është profesor i ftuar pranë Universitetit “John Carroll” (Cleveland). Në vitet 2006-2015 ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës” dhe nga viti 2016 drejton të përkohshmen “Shêjzat”. Ka qenë i pranishëm në shtypin shqiptar me artikuj kritikë, polemika dhe shkrime të natyrës historike. Ka botuar një seri artikujsh filozofikë në revista të specializuara dhe është organizator i disa konferencave shkencore dhe kuvendeve ndërkombëtare.

Ardian Vehbiu lindi në Tiranë, ku mbaroi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në vitet 1983-1990 punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u specializuar në kërkime në fushat e leksikologjisë, semantikës e stilistikës leksikore dhe analizës së tekstit.  Ka botuar artikuj në revista të specializuara për probleme të ndryshme të gjuhës e të letërsisë shqipe në fushat e semiotikës formale të tekstit letrar, statistikës gjuhësore dhe diakronisë së formave poetike në letërsinë shqipe. Më 1990-1995, punoi si lektor i gjuhës shqipe pranë Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Institutit Oriental të Napolit. Është autor një sërë veprash në prozë, i shumë shkrimeve në fushën e eseistikës e të studimeve kulturologjike e sociologjike të botuara në shtypin shqiptar dhe të huaj, si dhe në blogun “Peizazhe të Fjalës”, të krijuar dhe të drejtuar prej tij.

Është nderuar me çmimin kombëtar “Gjergj Fishta” dhe çmimin “Ardian Klosi”.

Mëso më shumë 

Ardian Ndreca 

Ardian Vehbiu