Ardian Vehbiu lindi në Tiranë më 1959. Mbaroi studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe në vitet 1983-1990 punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u specializuar në kërkime në fushat e leksikologjisë, semantikës e stilistikës leksikore dhe analizës së tekstit.  Në këtë kohë dha leksione të leksikologjisë dhe të historisë së gjuhësisë teorike pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Gjatë këtyre viteve, sidomos pas një stazhi studimor njëvjeçar pranë Universitetit “La Sapienza” të Romës (1987-1988), ai ka botuar artikuj në revista të specializuara për probleme të ndryshme të gjuhës e të letërsisë shqipe në fushat e semiotikës formale të tekstit letrar, statistikës gjuhësore dhe diakronisë së formave poetike në letërsinë shqipe. Në fund të vitit 1990, filloi të punojë si lektor i gjuhës shqipe pranë Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Institutit Oriental të Napolit, ku qëndroi deri në fund të vitit 1995. Gjatë kësaj periudhe publikoi një numër i madh artikujsh dhe esesh për probleme të kulturës dhe të sociolinguistikës shqiptare, në revista e organe të tjera të shtypit në Itali e në Shqipëri dhe librin-ese “Zbulimi i Shqipërisë” (“La Scoperta dell’Albania”) shkruar bashkë me Rando Devolen dhe botuar në Milano më 1996 nga “Edizioni Paoline”. Në shkurt të vitit 1996, Ardian Vehbiu u vendos në Nju-Jork. Është autor i shumë shkrimeve në fushën e eseistikës e të studimeve kulturologjike e sociologjike të botuara në shtypin shqiptar dhe të huaj, si dhe në blogun “Peizazhe të Fjalës”, të krijuar dhe të drejtuar prej tij.

Gjatë këtyre viteve ka botuar vëllimet me ese të zgjedhura “Zhargonet e Kombit” dhe “Kuzhinat e Kujtesës”, esenë e gjatë “Kulla e Sahatit”, një përmbledhje shkrimesh për çështje të shqipes standarde me titullin “Fraktalet e Shqipes”, librin “Midis zhgënjimit dhe mitit”, kushtuar ballafaqimeve amerikane me realitetin botëror pas 11 shtatorit 1990, librin me ese për mediat dhe komunikimin me titull “Folklori i elitave”, librin me tregime “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit”, romanin mjaft të vlerësuar nga kritika “Bolero” etj. Libri i tij “Shqipja totalitare”, i nderuar me çmimin kombëtar “Gjergj Fishta” si eseja më e mirë për vitin 2009, është një meditim i gjatë për projektimin e marrëdhënieve të pushtetit totalitar në strukturën e ligjërimit publik shqip gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai është gjithashtu fitues i çmimit “Ardian Klosi” për punën më të mirë në çështjet aktuale publike 2013 me veprën “Sende që nxirrte deti”.

Veprat:
“La Scoperta dell’ Albania”, ese,  Ardian Vehbiu; Rando Devole (“Paoline”, Milano, 1996)
“Kulla e Sahatit”, ese (“K & B”, Tiranë, 2003; “Çabej”, Tiranë 2018)
“Zhargonet e kombit”, ese kritike (“Sejko”, Elbasan, 2004)
“Kuzhinat e Kujtesës”, përmbledhje esesh (“Sejko”, Elbasan, 2006)
“Fraktalet e shqipes”, përmbledhje esesh (Çabej, Tiranë, 2007)
“Midis zhgënjimit dhe mitit”, përmbledhje esesh (“Max”, Tiranë, 2007)
“Folklori i elitave”, përmbledhje esesh (“Morava”, Tiranë, 2009)
“Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit”, tregime (“K & B”, Tiranë, 2010)
“Kundër purizmit”, ese (“Dudaj”, Tiranë, 2012)
“Shqipja totalitare”, ese (“Çabej”, Tiranë, 2012)
“Sende që nxirrte deti”, ese (“Dudaj”, Tiranë, 2013)
“Bolero”, roman (“Dudaj”, Tiranë, 2015)
“Ndërhyrjet e zotit Shyti”, prozë, (“Dudaj”, Tiranë 2016)
“Kusuret e Zotit Shyti”, prozë (“Dudaj”, Tiranë, 2017)
“Fjalë për fjalë”, ese (“Çabej”, Tiranë, 2017)
“Gjuha e thyer, gjuha që thyen”, ese (“Çabej”, Tiranë, 2019)