Gjermani, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë organizuar një ceremoni të përbashkët për dorëzimin e teksteve të dërguara falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Në aktivitetin e mbajtur në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Berlin në prani të ambasadorëve të Shqipërisë z. Artur Kuko, të Kosovës z. Beqë Cufaj dhe të Maqedonisë Veriut z. Ramadan Nazifi, 987 tekste shkollore dhe të mësimit plotësues, dërguar prej Qendrës së Botimeve për Diasporën të Republikës së Shqipërisë iu dorëzuan mësuesve të angazhuar në zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjermani.
Dhurimi i librave u shoqërua me një diskutim shumë profesional mbi gjendjen aktuale dhe masat e mëtejshme që duhen të merren në mënyrë të koordinuar nga institucionet e vendeve të origjinës në konsultim të vazhdueshëm me mësuesit e të gjitha brezave për konsolidimin dhe zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Gjermani.
Pritet që të mbërrijnë edhe librat e botuar nga Republika e Kosovës për t’u vënë në dispozicion të mësuesve të gjuhës shqipe në të gjitha landet në Gjermani.
Përshtatja e teksteve të gjuhës shqipe për Diasporën, mbetet sërish një temë e rëndësishme për zhvillimin e arsimimit shqip të fëmijëve të Diasporës.