Kristo Floqi, një nga autorët më popullorë të letërsisë e veçanërisht dramaturgjisë shqiptare në periudhën 1912-1939, vjen në studimin kritik “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” nga Prof. As. Dr. Jonela Spaho.

“Vepra e tij juridike, politike, publicistike e letrare qe e njohur gjerësisht në periudhën kur e shkroi, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, emri i tij gati u harrua ose u përmend shkarazi. …Duke pasur një aktivitet të rëndësishëm politik dhe patriotik dhe një gjeografi të pasur vendndodhjesh, emri i tij do të përmendet e analizohet në organe të tilla, si: “Dielli” i Bostonit, “Dielli e Flamuri” Boston, “Atdheu” Kostancë, “Gazeta e re” Tiranë, “ Demokracia” Gjirokastër, “ Kalendari Kombiar” Sofje, “Posta e Shqypnisë” Shkodër, “Populli” Vlorë etj., në të cilat analizohet jeta dhe aktiviteti i tij politik në periudha të ndryshme. Ai botoi një numër të konsiderueshëm komedish dhe dramash, të cilat publiku i ndoqi me kënaqësi në skenat e teatrove amatore dhe kritika vuri në dukje suksesin e tyre. Kështu përmendim “Argëtim theatrues i tretë në Elbasan” , “Posta e Shqypnisë” 1918, “Fe e kombësi luhet në Korçë”, “Gazeta e Korçës” 1920, “Theatroja “Fe e kombësi”, “Koha” Korçë, “Bisedime theatrore”, “Ora” Tiranë etj. Po ashtu analiza mbi vepra të veçanta të tij janë bërë në “Gazeta shqiptare” Bari, 1935, “Besa” Tiranë, 1935, “Letra” Shkodër 1935 etj.”, thotë ndër të tjera Jaho, duke na dhënë një pasqyrë të plotë të veprimtarisë letrare të Kristo Floqit.

Kristo Floqi lindi në Korçë më 15 nëntor 1920. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. U diplomua për drejtësi në Athinë, ku ushtroi profesionin e avokatit më 1899. Në Korçë hapi zyrë avokature dhe punoi gjatë viteve 1902-1908 si avokat në vendlindje, Manastir dhe si anëtar i gjyqit të shkallës së parë në Dibër.

Më 1908 drejton gazetën “Dielli” në Shtetet e Bashkuara dhe më 1911 drejton mbledhjen për krijimin Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në SHBA. Më 28 prill 1912 ishte themelues dhe anëtar i komisionit qendror të Federatës Vatra, të cilën e drejtoi më 1913-1915. Merr pjesë më 1913 në Kongresin e Triestes, si i dërguar së bashku me Faik Konicën.

Më 6 qershor 1913 emërohet në krye të gjykatës civile e penale, më 1914 u emërua kryesekretar i ministrisë së Drejtësisë dhe më 1919 drejtonte botimin e të përkohshmes “Agimi”, organ degës letrare i shoqërisë “Vllaznia”. Më 1921 u emërua ministër Arsimi në qeverinë e Iljaz bej Vrionit dhe qe anëtar i “Bashkimit të Shenjtë”. Në vitet 1925-1926 botoi gazetën “Indipendenca Shqiptare”, kur edhe u rizgjodh si deputet i prefekturës së Korçës gjer më 1928. Ndërroi jetë më 1 korrik 1951.

Krijimtaria e tij përfshin një sërë veprash letrare në gjininë e dramaturgjisë dhe sudimeve politike, si:

“Fe e Kombësi”, “Pirro i Neoptolemit”, “Karl Topia”,  “Skënderbeu n’Itali”, “E drejta themelore”, “Elementë të Ekonomisë politike”, “Një predikim mbi patriotizmë dhe nacionalizmë” etj.

Mëso më shumë mbi krijimtarinë letrare të Kristo Floqit