Lisandri Kola lindi në Shkodër më 12 maj 1986. Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në qytetin e tij të lindjes gjatë viteve 2004-2008 dhe më pas u diplomua në Letërsi më 2010 (M.Sc. në Kritikë dhe teori letrare ) në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Letërsisë. Në vitin 2014 ai fitoi një doktoraturë në Shkencat Letrare në të njëjtin universitet.
Gjatë periudhës tetor 2014 – janar 2016, ai punoi në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si bibliotekar e bibliograf, dhe njëkohësisht si Profesor i Letërsisë së Krahasuar dhe i Hyrjes në Letërsinë e Krahasuar, i ftuar nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Letërsisë. Në janar të vitit 2016 ai ishte Ligjërues i Letërsisë Moderne Shqiptare dhe i Histori së Sonetit Shqiptar në Departamentin e Letërsisë dhe i Teorisë së Përkthimit në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të këtij fakulteti.
Që nga viti 2018, ai jeton në Amerikë dhe nga shtatori 2019 është ligjërues i lëndës “Albanian Literature in Exile”,ne Universitetin Publik të Miçiganit, Departamenti i Gjuhëve dhe i Letërsive Sllave.
Ai ka botuar shumë libra me poezi, përkthime, hulumtime dhe një roman. Me vëllimin e poezive “Flutrat vdesin në maj”, Kosovë, 2014, ai është fituesi i çmimit kombëtar “At Zef Pllumi”. Vite më parë, më 5 nëntor 2009, shoqëria kulturore ‘Robert Schwartz’, me drejtor ekzekutiv, Z. Ardian Klosi, i dha atij çmimin e parë si narratori më i mirë i ri. Poezitë e këtij autori janë botuar në gjuhën angleze dhe malazeze. L. Kola ka lëvruar gjithashtu edhe dramën. Shfaqjet e tij janë vënë në skenë në Tiranë dhe Shkodër. Shfaqja e fundit “E vërteta e Marisë” u vu në skenë në Teatrin Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’ (Tiranë), në janar të vitit 2017, me regji të Besfort Idrizit nga Teatri Kombëtar i Maqedonisë. Kola është bashkëredaktor i një reviste kritike në internet: “Kêns” – www.kens.al
Veprat:
“Melodia e harpës” poezi (“Camaj-Pipa”, Shkodër, 2006)
“Ungjilli (si)mbas Gjonit”, poezi (“Gaid Margot”, Tiranë, 2009)
“Dorëshkrimi i humbun i Shën Mateut”, poezi (“Pika pa sipërfaqe”, Tiranë, 2009)
“Rabini i pasy”, poezi (“Camaj-Pipa”, Shkodër, 2008)
“As gëzuar nuk të thashë”, ese, (“Camaj-Pipa”, Shkodër, 2010)
“Satira në epikën fishtiane”, studim (“Camaj-Pipa”, Shkodër, 2010)
“Saga e nji dite”, roman (“Princi”, Tiranë, 2011)
“Flutrat vdesin në maj”, poezi, (“Dit’ e nat” Prishtinë, 2014)
“Sonete”, (“Fiorentia”, Shkodër, 2016)
“E vërteta e Marias ose të fshehtat e Hanës”, dramë (“GLA”, Tiranë, 2017)
“Vox clamantis (in deserto)”, publicistikë (“GLA”, Tiranë, 2017)
Përkthime:
“E madhërishmja“, Longinos; Lisandri Kola; Vinçens Marku (“Gjergj Fishta”, Lezhë; Tiranë 2009)
“Mishi i engjëjve”, poezi, Alda Merini; Lisandri Kola; Vinçens Marku (“Pika pa sipërfaqe”, Tiranë, 2012)
“Andërr (por mbase jo) Budalla”, dramë, Luigi Pirandello (“GLA”, Tiranë, 2017)