Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë, i përbërë nga mesues përfaqësues të 15 komuniteve shqiptare nëpër botë, ka mbajtur mbledhjen e parë të tij. Në mbledhjen ku u miratua rregullorja e këtij këshilli mori pjesë Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko si dhe Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën znj. Mimoza Hysa.

Sipas kësaj rregullore, Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës ka për qëllim të japë informacionet e nevojshme të lidhura me çështjet e arsimit, si dhe propozime konkrete të lidhura me to.
Si kompetenca të kësaj strukture që do të funksionojë pranë Qendrës së Botimeve të Diasporës janë identifikimi i problemeve në ruajtjen, mësimin dhe avancimin e gjuhës shqipe në Diasporë dhe i propozon ministrit përgjegjës për diasporën veprime konkrete për zgjidhjen e tyre.
Gjithashtu, ky këshill i cili drejtohet nga Vaxhid Sejdiu, kryetar Mira Shehu e Mustafë Krasniqi, nënkryetar dhe Teuta Tabaku, sekretare i propozon Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën linja orientuese për vlerësimin e prioriteteve në fushën e arsimit dhe mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, bashkëpunon me Qendrën e Botimeve të Diasporës për identifikimin e nevojave për tekste shkollore për Diasporën.
Një tjetër kompetencë është edhe ndihma dhe përkrahja në zhvillimin e procesit mësimor të gjuhës shqipe në vendet ku ka një numër të madh pjesëtarësh të diasporës apo interes të veçantë shtetëror në fushën e arsimit dhe identitetit kulturor. Si dhe, ndërton marrëdhëniet e bashkëpunimit midis mësuesve në diasporës dhe vendit të origjinës dhe organizon aktivitete në funksion të këtij qëllimi.