Sot, në Seminarin XV Mbarëkombëtar të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë që po zhvillohet në Prizren, Qendra e Botimeve për Diasporën prezantoi politikat shtetërore në ndihmesë të mësimdhënies në Diasporë, vizionin, nismat dhe punën e saj të bërë gjer më tani.
Në fjalën e saj drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Znj. Mimoza Hysa tha se “Qendra e Botimeve për Diasporën është një qendër e re, dhe si çdo gjë e re duket sikur i mungon historia, e shkuara dhe ka vetëm privilegjin e të ardhmes, të parashtrimit të synimeve e të dëshirave, por fakti që paraqitemi para jush sot me strategji të hartuara, me programe të strukturuara, me manuale të botuara, me projekte të nisura tashmë, është gjysma e punës. Pjesën tjetër, atë më të vështirën do ta përshkojmë së bashku”.
Më tej ajo u shpreh se bashkëpunimi do të jetë baza e punës dhe gjithçka do të arrihet në të ardhmen.
Gjithashtu, ajo parashtroi para mësuesve misionin dhe vizionin e Qendrës së Botimeve për Diasporën, hapat e ndërmarrë deri tani në ndihmesë të hartimit të teksteve të reja të përbashkëta për mësimdhënien në Diasporë, si dhe projektet e tjera të ndërmarra në shërbim të ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare jashtë vendit.