Qendra e Botimeve për Diasporën në vijimësi të mbledhjeve të organizuara online me drejtuesit dhe përfaqësuesit e lidhjeve të mësuesve në diasporë, me qëllim marrjen e informacionit dhe zgjidhjes së problematikave të lindura nga situata e re e krijuar prej gjendjes së pandemisë globale, zhvilloi sot mbledhjen me mësuesit e gjuhës shqipe në SHBA dhe përfaqësues të QBD-së, nën drejtimin e znj. Mimoza Hysa.
Në mbledhjen me përfaqësues të shkollave dhe mësuesve të gjuhës shqipe atje morën pjesë: Qemal Zylo, Drejtor i shkollës Shqipe dhe televizionit “Alba Life” në Nju-Jork, Kozeta Zylo bashkëthemeluese e shkollës shqipe “Alba Llife”, Drita Gjongecaj, themeluese e shkollës shqipe “Children of the Eagle” në Nju-Jork, Liljana Lico, mësuese e gjuhës shqipe në Waterbury, Connecticut.
Takimi shërbeu për një njohje më të mirë të problematikës së mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë dhe për bashkërendimin e punës për të ndihmuar procesin e mësimdhënies. Ndër të tjera u diskutua mbi mënyrën e organizimit të mësimit të gjuhës shqipe në SHBA, hartimin e një politike mbështetëse për promovimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, hartimin e teksteve të përshtatshme për mësimdhënien në diasporë, plotësimin e nevojave në kohë me tekste dhe literaturë plotësuese për shkollat shqipe, ndihmesën e platformave dhe materialeve didaktike online për mësimin e gjuhës shqipe, organizimin e seminareve, trajnimeve dhe takimeve të mësuesve të gjuhës shqipe për shkëmbimin e përvojave të ndërsjella etj.
Palët diskutuan gjithashtu ruajtjen e komunikimit dhe zhvillimit të mbledhjeve online në të ardhmen si një ndihmesë për diskutimin dhe zgjidhjen e problematikave të krijuara.
Mbledhjet do të vijojnë edhe me përfaqësuesit dhe drejtuesit e lidhjeve të mësuesve në vendet e tjera.