Qendra e Botimeve për Diasporën mori pjesë në konferencën dyditore “Kërkimi shkencor në hapësirën mbarëshqiptare dhe roli i Diasporës shkencore” që u organizua nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe instituti Alb Shkenca me mbështetjen e ministrit të Shtetit për Diasporën.
Në kumtesën e saj “Gjuha shqipe në epokën digjitale”, Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, duke sjellë në vëmendje situatën e shqipes në epokën digjitale, tha se përfshirja e shqipes në teknologjinë gjuhësore është tashmë një domosdoshmëri.
Pasi bëri një parashtrim të gjendjes së mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë, ajo e vuri theksin në gjetjen e mënyrave për motivimin e brezit të ri të diasporës për mësimin e gjuhës amtare, duke nënvizuar se përpos formimit të vetëdijes së përkatësisë etnike dhe identitetit, gjuha shqipe duhet të ofrojë edhe dobishmëri praktike për të rinjtë.
“…Kjo arrihet nëse mësimi i gjuhës amtare shoqërohet me “eksportimin” e vlerave unike kulturore e letrare, si dhe me futjen e gjuhës shqipe në rrjetin e teknologjisë gjuhësore ndërkombëtare, që nënkupton: përfshirjen në platformat digjitale që lehtësojnë marrjen e të dhënave, përcjelljen e informacionit apo bashkëveprimin me gjuhët e tjera.
Përdorimi i metodave bashkëkohore digjitale në mësimin e gjuhës shqipe është një mënyrë për të zgjeruar hartën e mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë. Kjo qasje përmes platformave digjitale të mësimdhënies është dhe në fokusin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, u shpreh ndër të tjera ajo.
Qendra e Botimeve për Diasporën prezantoi gjithashtu edhe dy nismat e saj të rëndësishme, puna për realizimin e të cilave tashmë ka filluar: “Takimi Mbarëkombëtar i Shkrimtarëve të Diasporës” dhe “Takimi Mbarëkombëtar i Mësuesve të Diasporës”, përkatësisht në data 22 shkurt dhe 14 mars.
Qendra e Botimeve për Diasporën merr pjesë në konferencën “Kërkimi shkencor në hapësirën mbarëshqiptare dhe roli i Diasporës shkencore”
Comments are closed.