Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjavet Shqip në Stamboll – 1879, u bë gur themeli për botimin e teksteve shqip, si përpjekja më e parë për ta çuar gjuhën e librin shqip kudo ku kishte shqiptarë.
Shoqëria e të shtypurit shkronjavet shqip (12 tetor 1879) nën kryesinë e Sami bej Frashërit dhe me pjesëmarrjen e Abdyl bej Frashëri, Mehmet Ali bej Berati (Vrioni), Ferid pashë Vlora, Pashko Vasa etj., u krijua me qëllim që të përpilonte një alfabet kombëtar dhe të bënte çmos për hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e librave shqip.
Shoqëria e Stambollit zgjodhi një palë shkronja dhe shtypi kanonizmën (rregulloren) e saj, si dhe një abetare, të shtypur në shtypshkronjën e A. Zelicit, në Stamboll, më 1879.

Kjo abetare, me 136 faqe, u punua prej Jani Vretos, Sami bej Frashërit, Pashko Vasës, Koto Hoxhit dhe Anastas Konstandin Frashërit.
Siç dëshmon Mit’hat beu, gjuhëtarët e shoqërisë mblidheshin në shtëpinë e Pashko Vasës për të përpunuar abetaren. Jani Vreto udhëtoi disa herë në Egjipt për të hapur degë të shoqërisë edhe atje, ku gjeti bashkëpunimin e patriotëve kushërinj Thimi Mitko dhe Thimi Marko. Këtu daton lindja e klubeve “Bashkimi” të cilët përpunuan edhe ata një alfabet të tyrin dhe që së bashku me të ashtuquajturin alfabet “Frashëri” do të ndikojnë fuqishëm në punimet e Kongresit të Manastirit më 1908.
Në alfabetin e Stambollit u shtypën për herë të parë të gjithë shkrimet e Naim be Frashërit dhe me financimet e shoqërisë u krijuan shoqëritë e mësimit shqip të Korçës që arritën të hapnin shkollën e parë shqipe më 1887.
Nisma solli një sërë bashkëpunimesh midis veprimtarëve shqiptarë në Shqipëri e Diasporë dhe u bë shkak për lindjen e përpjekjeve të tjera për krijimin e alfabetit shqip, botimin e gazetave shqip, krijimin e shoqërive kulturore etj.

 PROKLAMATA E KANONIZMËS (1879)

“Gjithë sa kombe janë të ndrituarë dhe të qytetëruarë janë ndrituarë dhe qytetëruarë prej skronjas ndë gjuhët të veta. Edhe çdo komb që nuk ka shkruar gjuhën e vet, edhe s’ka shkronja ndë gjuhët të vet është ndë t’errëtë dhe barbar. Edhe shqiptarët tue mos shkruarë gjuhën e tyre dhe tu me mos pasur shkronja ndë gjuhët të tyre, kështu gjenden edhe pa ndihma e shpresa këtu e tri mijë vjet përpara (sa që mund të njihet historia) që të ndriçoheshin dhe të qytetëroheshinë me gjuhët të fëqinjët e të huajët u dëftue e kotë, edhe trimëria e të miratë, që kanë duart tona në prej shokësh, që dukemi shkruarë në fund secili me dorët të vet. Edhe nuk e kena, as duamë, ndonjë prej ma tepër se shokët e tjerë, që kanë me u ba pas nesh, por i lutemi Zotit të jetesë, te vejë mbarë shoqëria jone, Shoqëria e të shtypurit shkronja shqyp” (Kanonizmë e shoqërisë të shtypuri shkronja shqip, Konstandinopojë, Ndë shkronjështypëtoret të A. Zelicit, 1879, ff. 1-2).

(Themeluesit: M. Ferid Vlora, Mehmet Ali Vrioni, Vejsel Dino, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Mustafa Janina, Sejfullah Zavalani, Ahmet Shefki Gjirokastriti, Dr. Ibrahim Starova, Pashko Vasa Shkodrani, Noc Xuxi, Nikollë Bonati, Gjon Bonati, Koto Hoxhi, Koto Sotiri, Pandeli Sotiri, Nano Petri Saraqinishtasi, Nikole Stavro, Vasua Qestoratasi, Anastas Konstandin Frashëri, Vasil i P. Ndrekos Postenanasi, Danil i D. Adamit Oparaku, Mihal i A. Plumbit Përmetasi, Konstandin i N. Haxopulit Isgarasit, Vasil i Vangjelit Delvinasit, Janço Kosta Ogrenasi, Joan Vretua Postenanasi)

Mëso më shumë