Sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, Qendra e Botimeve për Diasporën prezanton projektin madhor të përkthimit të “Tregimeve të moçme shqiptare” në pesë gjuhë të huaja: në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe greqisht.
Ka qenë kërkesë parësore ruajtja e parimit bazë në përkthimin nga gjuha shqipe: ajo e përzgjedhjes së përkthyesve që kanë gjuhën në të cilën përkthejnë gjuhë amtare. Kështu janë angazhuar në këtë projekt përkthyes të rëndësishëm e me përvojë nga gjuha shqipe, si Andrea Grill në gjuhën gjermane, Evelyne Noygues në gjuhë franceze, Eugenio Scalambrino në gjuhën italiane. Kjo përzgjedhje shërben dhe për nxitjen e atyre pak përkthyesve që ende i kanë qëndruar besnikë këtij misioni. Mungesa e theksuar e përkthyesve të huaj të angazhuar me përkthimin nga gjuha shqipe ka bërë të mundur nxitjen dhe të përkthyesve shqiptarë që jetojnë prej vitesh dhe janë shkolluar në gjuhën në të cilën përkthejnë. Të rinjtë shqiptarë të brezit të dytë, të rritur dhe të shkolluar jashtë vendit, përbëjnë një potencial të rëndësishëm për të përgatitur përkthyes të rinj nga gjuha shqipe. Janë angazhuar kështu në këtë projekt dy përkthyes të rinj me gjuhë amtare gjuhën shqipe, por që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë prej vitesh jashtë vendit e mbi të gjitha janë shkolluar në gjuhën në të cilën përkthejnë: Ron Berisha, një përkthyes i ri dhe premtues do të përkthejë Kutelin në gjuhën angleze, ndërsa Eleana Zhako, e njohur tashmë në këtë fushë, do të përkthejë veprën në gjuhën greke.
Po çfarë përbën për ta ky projekt dhe cilat janë sfidat e punës së tyre. Ja si janë përgjigjur përkthyesit disa pyetjeve lidhur me këtë sfidë.
Andrea Grill
Më pëlqen shumë ideja që fëmijët, të cilët i kanë prindërit që flasin shqip, por vetë ende nuk e kanë mësuar, do të kenë mundësinë të lexojnë e të njohin tregimet e moçme dhe shumë interesante të vendit ku janë rritur prindërit e tyre.
Veç kësaj edhe tekstet vetë janë të veçantë, janë krejt ndryshe nga tregimet që shkruhen tani, flasin nga një botë tjetër prej kësaj në të cilën jetojmë, dhe njëkohësisht tregojnë shume për Evropën, çfarë është, kontradiktat e saj.
Zakonisht unë merrem më shumë me përkthimet e autorëve bashkëkohorë. Ata janë më afër meje, sidomos ngaqë jetojmë në të njëjtën kohë.
Projekti i Kutelit për mua është shumë i bukur pasi ai shkruan ndryshe nga si shkruajmë tani, është edhe i vështirë, por mua më pëlqejnë sfidat – ato ta zbukurojnë jetën.
Në gjermanisht, ne kemi një traditë të vjetër për tregimet në përgjithësi e veçanërisht për fëmijët, kështu që mua më duket se gjuha e Kutelit, përcillet shumë mirë në gjermanisht. Mund të përdor shprehje që janë pak të harruara në gjermanishten bashkëkohore, për shembull, por që krijojnë një ngjyrë të bukur në të tashmen, çka më duket se duket jep atmosferën e Kutelit. Ky është vetëm një shembull i thjeshtë, por jam e bindur që teksti do të dalë shumë mirë në gjermanishte dhe do t’i bëjë lexuesit të kuptojnë diçka më shumë mbi historinë e Evropës dhe jetën njerëzore në përgjithësi.
Evelyne Noygues
I kam njohur Tregimet e Kutelit mbas vitit 1991 kur isha në Tiranë. Disa miq të mi kishin në shtëpi botimin e vitit 1965. E kishin ruajtur brez mbas brezi dhe e përdornin për fëmijët ose për t’u treguar përralla nipave. Tani një kopje e tregimeve të Kutelit ndodhet në bibliotekën e Institutit në Paris (ku mësova edhe unë gjuhën shqipe) falë donacionit i Pr. Ardian Marashi, përgjegjësi i gjuhës shqipe të Inalco-ja (Institut National des Langues et Civilisations).
Të gjithë studentët e gjuhës shqipe në këtë institut kanë mundësi ta marrin në shtëpi dhe ta lexojnë. Është një fat ky për ta, fat të cilin unë nuk e kam pasur kur isha vetë studente atje.
Duke përkthyer tregimet e Kutelit, tashmë unë kam fatin të hyj thellë në prozën e tij lidhur me baladat, këngët e kreshnikëve qe i përkasin traditës gojore të letërsisë shqipe.
Botimi dhe shpërndarja e librave shqip, si dhe e përkthimeve të tyre, ruan lidhjet gjuhësore me diasporën nëpër botë, e cila gjithnjë kërkon të ruajë identitetin e vet.
Qendra e Botimeve për Diasporën po bën një punë shumë të dobishme, duke propozuar dhe shpërndarë tekstet letrare dhe shkollore. Është një ndihmë e madhe për të gjithë ata që duan të rrinë në kontakt me kulturën shqiptare.
Shpresoj se në të ardhmen QBD-ja do të vazhdojë me botime letrare të përbashkëta nëpër vende te ndryshme.
Përkthimin i tregimeve të Kutelit e kam filluar duke lexuar baladat dhe këngët, vargjet mbi të cilat ai u mbështetet për të shkruar tregimet e tij. Pastaj kam lexuar edhe në frëngjisht autorë, si: Charles Perrault, Andersen ose vëllezërit Grimm.
Kështu jam munduar të kuptoj mënyrën si kane ndërtuar gjuhën, si kanë përdorur variacione, si kanë përpunuar ritmin etj.
Dua të them se më ka ndihmuar shume fakti qe ia kam lexuar tregimet famulleshë dhe e kam ripërpunuar duke marrë parasysh edhe reagimet e saj, duke qenë se ajo është në moshë që lexon shumë përralla.
Ron Berisha
Takimi i parë me krijimtarinë e Kutelit ka qenë pikërisht nëpërmjet këtyre tregimeve që po përkthej tani. Nuk mbaj mend fëmijë të moshës sime që nuk njihte legjendën e Rozafatit, ose emrin e Gjergj Elez Alisë, ose besën e Konstandinit që sfidoi edhe vdekjen (fundin e trishtë e mahnitës të kësaj balade) etj. Kështu duhet të jetë edhe sot, besoj. Këto legjenda janë pjesë integrale e kulturës sonë. Përmendeshin vazhdimisht, citoheshin në ambiente te ndryshme, po askush (me sa kujtoj) nuk doli te falënderojë ashtu si duhet autorin e tyre – ose “kthenjësin e këngëve në tregime”, siç e quan ai veten tek parathënia. Më vonë u njoha edhe me poezitë e Kutelit , mësova për veprimtarinë e tij të gjerë si përkthyes e si një ndër nismëtarët (bashke me Koliqin) e kritikës letrare e prozës moderne shqiptare.
Përkthimi i këtij libri është një nder i madh – një përgjegjësi e madhe po ashtu. Kam marrë përsipër të përkthej në gjuhen ndërkombëtare një autor shumë të njohur në botën shqipfolëse. Mbi të gjitha është rëndësia e materialit që po përkthehet; këto dhjetë tregime janë perla të folklorit e kulturës shqiptare, dëshmi e ekzistencës sonë shpirtërore ndër shekuj. I jam mirënjohës Qendrës së Botimeve të Diasporës – në radhë të parë që po e bën të mundur leximin e tyre në gjuhë të ndryshme të botës…
Sfida nuk është e vogël. Shumë fjalë e fraza m’u desh t’ia kërkoja kuptimin e mirëfilltë në shqip, para se të merresha me përshtatjen në anglisht (sa shpesh mund t’i përdor nji Shkodran fjalët “valishte”, “kuvli”, “suazë”, “sutë”, apo “rregalla të zhgalitura”). Pastaj janë edhe kufizimet e tjera (punë të ndryshme) që ndërhyjnë vazhdimisht.
Kjo punë, natyrisht, më ka afruar me autorin. Stili është njeriu, thotë Floberi; pra shpirti i shkrimtarit është, si te thuash, i vulosur ne rreshtat e tij. E ndër këto rreshta e paragrafë që kam përpara, përveç talentit te padiskutueshëm letrar, unë ndjej mirësinë e këtij njeriu, dashurinë e thellë e të sinqerte për gjuhen, për heronjtë, personazhet, për vendin e popullin e vet, për kulturën shqiptare, të cilën ai përpiqet ta lartësojë me të gjitha forcat.
Eleana Zhako
Me krijimtarinë e Kutelit jam njohur që në fëmijërinë time të hershme përmes librit të tij Tregime të moçme shqiptare. Thelbi i krijimtarisë gojore shqiptare është i lidhur ngushtësisht në botëkuptimin tim me Kutelin, me mbledhjen, përzgjedhjen, përshtatjen dhe ridimensionimin e rrëfenjave shqiptare prej tij për gjithë gamën e lexuesve shqiptarë.
Besoj se përmes këtij projekti, fëmijët shqiptarë në Greqi do kenë mundësi të njihen më tepër me përrallat shqiptare, me përrallën e mirëfilltë shqiptare, e cila është krejt e ndryshme nga kategoria e librave për fëmijë, me të cilat ndeshen fëmijët e sotëm. Gjithashtu ky projekt është shumë i vlefshëm edhe për rrëfyesit e përrallave, një lloj arti dhe profesioni, që është shumë i përhapur në Greqi. Jo vetëm fëmijët shqiptarë në Greqi, por edhe rrëfimtarët grekë do kenë mundësi të njihen me përrallat shqiptare.
Është hera e parë për mua që përkthej tregime – përralla, dhe përveç kënaqësisë që të sjell përkthimi i një zhanri kaq të dashur për fëmijët e të rriturit, sfidat më të mëdha ndeshen në gjetjen e fjalëve të ngjashme në gjuhën greke; në përshtatjen e emrave të figurave mitologjike dhe rëndesës që kanë në psikosintezën shqiptare. Por, për shkak të pikëtakimeve të shumta të përrallave ballkanike, vështirësitë e sipërpërmendura janë të kapërcyeshme dhe bukuria e këtyre përrallave arrin të përçohet edhe në gjuhën greke, në rastin përkatës.
Përballja me tjetrin, të panjohurin, thërret në ndihmë origjinën, prejardhjen, kulturën e ngjizur në mendje dhe zemër, për të gjetur pika të përbashkëta, për të puqur urat. Një komb këtë lidhje e siguron përmes përkthimit, paraqitjes së kulturës së shtresëzuar, atë të lashtë apo atë bashkëkohore. Gjuha e komunikimit e të gjitha kohërave, e shkëmbimit të informacionit, dijes dhe vlerave ka kaluar gjithnjë përmes përkthimit. Tjetri është bërë ti, dhe ti je bërë tjetri, duke pasuruar veten përmes të ndryshmes, që gjuha e bën tënden, të panjohurës që gjuha e bën të njohur, të paditurës që gjuha e bën të ditur.
Qendra e Botimeve për Diasporën, një nga institucionet kryesore në vend me misionin e mbrojtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe, përpos projekteve që lidhen drejtpërdrejtë me këtë detyrë, ka ndërmarrë edhe projekte që prezantojnë letërsinë dhe kulturën shqiptare në gjuhë të tjera.