Gazmend Kapllani është shkrimtar, poet, gazetar dhe studiues i lindur në Shqipëri. Ai është diplomuar për Psikologji dhe Filozofi nga Universiteti “Kapodistria” i Athinës dhe ka kryer studimet e doktoraturës për Shkenca Politike dhe Histori në Universitetin Panteon të Athinës. Prej vitesh jep mësim si profesor në universitete në Europë dhe Amerikë. Në vitin 2019 u zgjodh nga Universiteti “De Paul” në Çikago si Drejtues i Katedrës së Studimeve Shqiptare “Hidai Bregu”, e cila është Katedra e parë e Studimeve Shqiptare në historinë e Universiteteve Amerikane. Nga viti 1999-2011 ka qenë editorioalist i gazetës më të madhe greke “TA NEA”, ku u shqua për reportazhet dhe esetë e tij inovative. Në të njëjtën kohë ka qenë i pranishëm si editorialist dhe publicist në shtypin e përditshëm shqiptar. Është autori i katër romaneve të përkthyera ne gjuhë të ndryshme. Është nga shkrimtarët e paktë europianë që ka përfaqësuar letërsitë e dy vendeve në panaire të rëndësishme ndërkombëtare: Shqipërinë në Panairin e Librit n Lajpcig (2017) dhe Greqinë në Panairin e Librit të Parisit (2018). Ka dhënë kontribut aktiv në jetën kulturore, letrare dhe politike në shtetin grek, duke u shquar veçanërisht si mbrojtës i të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Prej vitit 2012 jeton në Boston të SHBA-së, ku shkoi pasi u përzgjodh nga instituti prestigjioz “Radcliffe” i Universitetit t Harvardit. Në të njëjtin qytet ka dhënë mësim në kolegjin “Emerson” për Shkrimin Krijues dhe Historinë Europiane. Në librat e tij ai përqendrohet tek temat e emigracionit, kufijtë, globalizmi, totalitarizmi dhe mënyra se si historia ballkanike ka formësuar identitetet e individëve dhe kombeve.
Romanet e tij: “Ditar i shkurtër kufijsh” (2006), “Emri im është Europë” (2010) dhe “Faqja e fundit” (2012), janë publikuar fillimisht në greqisht nga “Livanis” dhe janë përkthyer në danishte, anglishte, frëngjishte, italishte, polonishte dhe gjermanishte. Më 2018 publikon në shqip librin “I keqi i vetes”.
“Ditar i shkurtër kufijsh” është bërë best-seller ndërkombëtar dhe është botuar deri me sot në shqipe, danishte, anglishte, frëngjishte, polonishte, italishte dhe gjermanishte.
Më 2014 romani u përshtat për pjesë teatrale nga teatri “Bornholms” në Danimarkë dhe Teatri Kombëtar i Shurdhëve në Greqi, dhe është vënë në skenë në Danimarkë, Greqi, Kili dhe Francë. “Ditar i shkurtër kufijsh” është bërë frymëzim gjithashtu për kompozitoren e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad.
Romani “Faqja e fundit” i publikuar në frëngjishte, u përzgjodh për “Cezam Prix Litteraire Inter CE 2016” dhe është fitues i çmimit “Prix des étudiants de l’Inalco” në Panairin e librit të Ballkanit që zhvillohet çdo vit në Paris.
Librat e tij janë përfshirë në programe të universiteteve të ndryshme, si: Universiteti i Vjenës, Universiteti “Brown”, Universiteti i Kolumbias dhe “Princeton”.
Vepra:
“Në kërkim të tjetrit”, poezi (“Naim Frashëri”, Tiranë, 1993)
“Ditar i shkurtër kufijsh” , roman (2006)
“Emri im është Europë”, roman (2010)
“Faqja e fundit”, roman (2012)
“I keqi i vetes”, roman (“Albas”, Tiranë; Tetovë; Prishtinë, 2018)