Studiuesi dhe kritiku i shquar Ali Aliu lindi më 1934 në Kranjë të Prespës. Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e kreu në Manastir më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Beograd në vitin 1960. Punoi si gazetar në “Flaka e vllaznimit” në Shkup. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Që nga viti 1972 deri sa doli në pension ishte profesor në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.
Gazeta letrare “Exlibris” sjell për lexuesin një intervistë të tijën me Bujar Hudhri.
“Në Prishtinë, ku kam kaluar dhe po kaloj pjesën më të madhe të jetës, ku kam kolegë e miq të shumtë të punës, ku përditë e më shumë më njohin si gjyshi i Kreshnikut apo i Valit dhe ku shpresoj të përjetoj edhe lumturinë e të bërit stërgjysh. Por i gjendur përballë pyetjes suaj kapa një dallim që s’e paskësha hetuar: ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë. Në këtë të fundit, për ato që thashë më sipër dhe për ato rreth tyre. Në Shkup, ku kam bërë shkollën e mesme dhe vitet e para të punësimit, shkoj me një mall konstant për të shkelur kalldrëmin e rrugëve të Çairit me gjurmët e moshës djaloshare dhe mezi pres të pi kafenë me Luan Starovën, Kim Mehmetin, Resul Shabanin, Rexhep Zllatkun, Fejzi Bojkun, Azis Pollozhanin, Halil Zendelin… Ndërsa në Tiranë, po ta kisha më afër, do të shkoja të paktën një herë në muaj. Përpos miqve të shumtë e të mirë, atje për çdo mbrëmje mund të zgjedh një ngjarje kulturore, një shfaqje në njërin nga teatrot, një koncert, një galeri, një përurim libri a përvjetor figurash e datash dhe një ndejë me Z. Çelën, Sh. Sinanin, N. Zoton, B. London, I. Toçin, D. Çulin, S. Bejkon, Arian Lekën…”, shprehet ndër të tjera studiuesi Aliu.
Lexo të plotë intervistën e Ali Aliut