Flurans Ilia u lind në Berat më 16 Maj 1971 në një familje intelektualësh ku biblioteka dhe librat zënë vend qendror në mjedisin familjar. Humbja e babait do ta shtynte qysh në fëmijëri drejt botës magjike të artit. Përgjatë viteve të shkollës shkruan poezi, skica, tregime, pa publikuar asgjë. Fillimi i viteve 1990 e gjen në një udhëtim bohemian nëpër Ballkan, Evropë, Amerikën e Veriut, për t’u ankoruar përfundimisht në Montréal të Kanadasë. Mërgimi mban gjallë dëshirën dhe kontaktin e tij të vazhdueshëm me Fjalën. Në fillimin e viteve 2000, nëna e tij publikon në atdhe fletoret e tij të braktisura me vjersha. “Atavizëm” titullohet libri i tij i parë në poezi, i ndjekur nga gjashtë tituj të tjerë vëllimesh në vargje si dhe përmbledhja me tregime “Baraka e kopshtit të mollëve”. Në vitin 2008 publikon në Tiranë përmbledhjen me proza “Thembra e kujtesës”. Në vitin 2014 publikon në Prishtinë romanin “Jashtë sezonit”. Bashkëpunimi i tij i vazhdueshëm me organet dhe suplementët letrarë brenda dhe jashtë vendit, në lëmin e publicistikës, esesë, prozës, përkthimit, e kanë renditur emrin e Fluransit krahas bashkëkombësve të tij në lëmin e kulturës dhe fjalës shqipe.

Vepra:
“Atavizëm”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Refleksione”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Ditë endacake”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2000)
“Të rilindë poezia”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2001)
“Kumbim shpirti”, poezi (“Dritëro”, Tiranë, 2001)
“Himn njerëzor”, poezi (“Jonalda”, Berat, 2002)
“Baraka e kopshtit të mollëve”, tregime (“Uegen”, Tiranë, 2003)
“Zogjtë qiellit i mungojnë në veri”, poezi (“Uegen”, Tiranë, 2004)
“Thembra e kujtesës”, proza (“Ideart”, Tiranë, 2008)
“Jashtë sezonit”, roman, (“Buzuku”, Prishtinë, 2014)