Letra e Mit’hat Frashërit, dërguar nga Elbasani gazetës “Journal de Salonique”, më 5 shtator 1909 lidhur me mbajtjen e Kongresit të Elbasanit, ku çështja më kryesore ishte hapja e një shkolle Normale.
Në foto, godina ku u mblodh Kongresi i Elbasanit dhe shkrimi në gazetë.
Letra është marrë nga origjinali i gazetës “Journal de Salonique”, e cila e botoi më 9 shtator 1909.👇

Le Congres Albanais
Lettre d’Elbassan

Sot në mëngjes morëm shënimet e para për Kongresin Shqiptar në Elbasan të cilat i nderuari Mitat Bej, Drejtor i Çështjeve Politike, premtoi të shkruaj për lexuesit e Gazetës së Selanikut.
Ai, gjithashtu premton të na dërgojë përshtypjet e udhëtimit dhe ne do të jemi shumë të lumtur t’i botojmë. Ne i shprehim mirënjohjen tonë.
Kjo është letra e parë e Mitat Beut.
Elbasan, 5 Shtator 1909.

Drejtori im i dashur,
Ju premtova t’ju dërgoj disa shënime për kongresin e gjuhës që shqiptarët po mbajnë këtu. Delegatët filluan të arrijnë qysh prej dhjetë ditësh. Pasi mu desh të ndaloja për disa ditë në Janinë, unë munda të isha nji ditë para hapjes së Kongresit në Elbasan. Ky kongres u hap të Premten në prani të delegatëve nga 27 qytete të Shqipërisë së Veriut dhe Shqipërisë së Jugut. Seanca e parë u hap nën kryesinë e qytetarit më të moshuar. Pas një shërbimi hyjnor (lutjeje sh.im), ne vazhduam në formimin e kryesisë dhe kolegët e mi më bënë nderin duke më besuar postin e nënkryetarit të kryesisë.
Unë tashmë ju kam thënë që kongresi ynë është thjesht gjuhësor dhe se nuk do të merremi me politikë.
Arsimi, shkollat, këto janë dy pikat e vetme në orarin e seancave tona. Debatet do të kufizohen në këto dy pyetje.
Për të pasur shkolla duhet të kemi mësues. Ku t’i gjejmë? Duke punuar për të ardhmen, ne menduam se gjëja e parë që duhet të bënim ishte të fillonim të bënim mësues. Njëzëri, kongresi vendosi të krijojë një shkollë normale për të furnizuar shkollat fillore. Ndërsa kjo shkollë prodhon të diplomuar, numri i shkollave fillore do të rritet. Për të qenë në gjendje t’i krijojmë ato edhe në lokalitetet më të largëta dhe më të vogla, do të bëhen përpjekje për të krijuar një shkollë të dytë normale më vonë. Cili qytet ishte më i përshtatshmi për krijimin e Shkollës së Parë Normale? Një debat i gjatë zgjati për këtë pikë. Pasi shqyrtoi qendrat e ndryshme shqiptare, kongresi vendosi për qytetin e Elbasanit, i cili ka një popullsi prej 15,000 banorësh, është një qendër tregtare dhe ipso-fakto (nga vetë fakti) dhe i qetë. Seancat e Kongresit me siguri do të zgjasin deri në dhjetë të muajt të tanishëm. Unë do t’ju tregoj vendimet më të rëndësishme, në të cilat do të bashkangjit edhe disa përshtypje të udhëtimit.
Mid’hat

Burimi.