[image_slider_no_space on_click=”prettyphoto” height=”600″ navigation_style=”dark” highlight_active_image=”yes” images=”12010″]

Pjesëtarë të komunitetit shqiptar të Karakurtit në Ukrainë shprehën dëshirën e tyre për të organizuar një pushim veror dhe për të sjellë në Shqipëri një grup fëmijësh shqiptarë nga Ukraina, që nuk e kishin vizituar asnjëherë tokën shqiptare.

Shqiptarët e Karakurtit e lanë atdheun rreth 3 shekuj më parë për t’u vendosur fillimisht në Bullgari e më pas në Ukrainë. 300 vjet më pas, ata ende flasin shqip.

Dëshira e tyre u plotësua dhe vizita e fëmijëve në Shqipëri nisi në datën 2 qershor drejt Shkupit. Më datë 3 qershor ata mbërritën në Tiranë.  Kjo është hera e parë që një grup i organizuar fëmijësh realizuan një ekskursion historik drejt vendit të të parëve të tyre, ku u njohën me disa nga vendet historike të trojeve shqiptare. Gjatë kësaj vizite ata patën mundësi të takonin nga afër edhe ministrin përgjegjës për diasporën në Shqipëri, Z. Pandeli Majko.

Shqiptarët e Ukrainës u larguan nga zona e Korçës, fill pas pushtimit turk dhe për 200 vjet jetuan në Bullgari. Më pas një pjesë u zhvendosën në Ukrainë dhe prej 300 vjetësh jetojnë aty. Numri i shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë arrin në 50 000 veta. Banorët janë toskë, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes osmane. Pas një rrugëtimi nëpër Greqi, Bullgari dhe Rumani ata përfunduan në Ukrainë. Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë. Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra, Karakurt (Zhovtnjovoje), Taz (Devneskoje), Tyshki (Gjeorgjevka) dhe Xhandran (Gamovra), është një përzierje e shqipes toske me rusishten, por zakonet, veshjet dhe tiparet dalluese mbeten të njëjta.