21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare!

21/02/2021

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er‘ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushëllon.

Mjedja

Sektori i informimit

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve

në Diasporë (KKAD)

Në bazë të thënieve të dijetarëve shqiptarë dhe të huaj për gjuhën amtare vijmë në përfundim në fjalët e gjuhëtarit kombëtar Eqrem Çabej, i cili thotë: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”.

Prandaj edhe ne, me rastin e 21 Shkurtit, Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare, jemi të detyruar të shikojmë veten në pasqyrë, se sa i shërbejmë gjuhës sonë amtare. Shërbimi duhet t`i bëhet nga secili prej nesh dhe deri te institucionet shtetërore, të cilat e kanë edhe obligim kushtetues. Në shumë vende të botës gjuha amtare mbrohet me ligj.

Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli, nëpërmjet së cilës shprehet shpirti, kultura, arti, historia dhe trashëgimia kombëtare. Fjalët e Filip Shirokës kumbojnë edhe sot, në veshët e shqiptarëve me gjithë forcën që kanë, se “kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”.

Këto fjalë janë alarm për shumë njerëz, për shumë familje shqiptare, por edhe për shumë institucione private dhe publike, të cilat duhet të bëjnë më shumë për gjuhën e nënës apo duhet t`i kthehen vetes sepse përndryshe nesër do të jetë vonë, ngaqë brezi në brez fëmijët e diasporës shqiptare kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën e bukur-shqipen. Pra, nëse ne si komb me institucionet tona nuk ecim me ritmin e përshpejtuar ka drojë se brezat e ardhshme dhe do të zhbëhen!

Derisa në shumë vende, apo troje shqiptare gjuha shqipe ende diskriminohet, ne që jetojmë larg atdheut në shumë vende të Evropës dhe botës kemi të drejtë ta ruajmë dhe ta mësojmë në mënyrë të rregullt gjuhën tonë amtare. Dijetari shqiptar Sami Frashëri thotë: “Shenja e kombit është gjuha. Çdo komb njihet me anë të gjuhës”.

Prandaj, sot më 21 shkurt, në këtë ditë të veçantë të gjuhës amtare apelojmë në emër të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), që të gjithë pavarësisht vendit se ku jetojmë dhe veprojmë t`i kthehemi gjuhës sonë të bukur shqipe, sepse vetëm kështu nderojmë veten dhe atdheun. Apelojmë te të gjithë prindërit shqiptarë, që fëmijët e tyre t`i drejtojmë drejt shkollave shqipe sepse në këtë mënyrë pasardhësit tanë trashëgojnë pasurinë kombëtare – gjuhën shqipe.

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)